Tirana vijon fazën përgatitore në Pogradec, në pritje për t’u nisur drejt Gjeorgjisë, ku më datën 18 ose 19 gusht do të përballet me skuadrën e Dinamos së Tbilisit, në sfidën e vlefshme për turin e parë eliminator të Ligës së Kampionëve.
Kampionët e Shqipërisë janë optimistë se mund ta kalojnë me sukses testin gjeorgjian, pasi shorti u tregua bujar duke u vënë përballë kundërshtarin më të lehtë të mundshëm në letër, megjithatë verdikti i mbetet fushës së lojës.
Ndërkohë sot në zyrat e UEFA-s, në Nyon u hodh edhe shorti për turin e dytë eliminator të Ligës së Kampionëve, ku bardheblutë mësuan edhe kundërshtarin që i pret, nëse arrijnë të sigurojnë kualifikimin në Gjeorgji.
Bëhet fjalë për fituesen e çiftit Crvena Zvezda-Europa, me serbët dukshëm favoritë ndaj skuadrës modeste nga Gjibraltari dhe goglat që kanë krijuar mundësinë e një përballjeje shqiptaro-serbe në turin e dytë eliminator.
Kështu nëse Tirana dhe Crvena Zvezda kalojnë raundin e parë eliminator të Ligës së Kampionëve, atëherë do të përballen me njëra-tjetrën më 25 ose 26 gusht në kryeqytetin shqiptar, pasi shorti vendosi pikërisht bardheblutë si skuadrën pritëse.
Fluturime nga Düsseldorfi për në Prishtinë dhe anasjelltas me çmime shumë të volitshme Reisebüro Prishtina ofron sherbime të sigurta,...