Apple ka njoftuar se Tim Cook do të tërhiqet nga posti i drejtorit ekzekutiv pas gati 15 vitesh në krye të kompanisë, duke i lënë drejtimin shefit të inxhinierisë së harduerit, John Ternus.
Ndryshimi do të hyjë në fuqi më 1 shtator, ndërsa Cook do të vijojë të mbetet në kompani si kryetar ekzekutiv.
“Ka qenë privilegji më i madh i jetës sime të jem CEO i Apple dhe të udhëheq një kompani kaq të jashtëzakonshme. E dua Apple me gjithë qenien time,” deklaroi Cook në njoftimin zyrtar.
Cook, 65 vjeç, mori drejtimin e Apple në vitin 2011 pas bashkëthemeluesit Steve Jobs. I njohur për aftësitë e tij në menaxhimin e zinxhirëve të furnizimit dhe operacioneve globale, ai e drejtoi kompaninë drejt zgjerimit të madh ndërkombëtar dhe konsolidimit të produkteve kryesore, veçanërisht iPhone-it. Megjithatë, ai shpesh është parë më shumë si një administrator strategjik sesa si figurë vizionare teknologjike, në stilin e Jobs-it.
Gjatë drejtimit të tij, Apple shënoi një periudhë të fuqishme rritjeje ekonomike, duke e integruar thellë teknologjinë e saj në jetën e përditshme. Kompania raportoi këtë vit një nga tremujorët më të mirë ndonjëherë në shitjet e iPhone-it, të nxitura nga kërkesa e lartë në Kinë. Fitimet vjetore të Apple kanë kaluar 100 miliardë dollarë, ndërsa vlera e tregut është rritur nga rreth 350 miliardë dollarë në mbi 4 trilionë.
Në kohën e Cook u prezantuan produkte si Apple Watch dhe AirPods, si dhe shërbime digjitale si Apple Music dhe Apple TV+. Ai gjithashtu njihet për aftësinë në negociatat politike globale, duke ruajtur stabilitetin e zinxhirit të furnizimit të Apple në tregje kyçe si SHBA dhe Kina. Sipas njoftimit të kompanisë, ai do të vazhdojë të angazhohet në çështje të politikave globale.
Pasardhësi i tij, John Ternus, 50 vjeç, shihej prej kohësh si kandidat i mundshëm për postin e CEO-së. Ai është pjesë e Apple që nga viti 2001 dhe ka luajtur rol kyç në zhvillimin e pajisjeve harduerike. Në deklaratën e tij, Ternus u shpreh: “Jam i nderuar të marr këtë përgjegjësi dhe premtoj të udhëheq me vlerat dhe vizionin që e kanë përcaktuar këtë kompani për më shumë se gjysmë shekulli.”
Nga ana e tij, Cook e përshkroi pasardhësin si “një inxhinier me mendje dhe një inovator me shpirt”.
Megjithatë, Apple po hyn në një periudhë sfidash të reja. Kompania është nën presion për mënyrën se si po integrohet në garën e inteligjencës artificiale, ku ka mbetur prapa disa konkurrentëve dhe shpesh ka zgjedhur të përdorë zgjidhje të palëve të treta për asistentin Siri. Ndërkohë, produkte të reja si Vision Pro nuk kanë arritur ende të krijojnë kërkesë të fortë në treg. /GazetaExpress/
Reisebüro Prishtina vazhdon të ofrojë fluturime të rregullta drejt destinacioneve kryesore evropiane. Fluturimet në linjën Dortmund – Prishtinë, si...