Tifozëve rumunë mund t’u ndalohet ardhja në Prishtinë, Federata e Rumanisë përmend situatën në veri të Kosovës - Gazeta Express
string(108) "tifozeve-rumune-mund-tu-ndalohet-ardhja-ne-prishtine-federata-e-rumanise-permend-situaten-ne-veri-te-kosoves"

Tifozëve rumunë mund t’u ndalohet ardhja në Prishtinë, Federata e Rumanisë përmend situatën në veri të Kosovës

Sport

Gazeta Express

30/05/2023 20:20

Federata Rumune e Futbollit po shqyrton ndalimin e udhëtimit të tifozëve rumunë në ndeshjen e Kombëtares së tyre ndaj Kosovës,

Kjo ndeshje është e planifikuar të zhvillohet në stadiumin “Fadil Vokrri”, më 16 qershor, në kuadër të kualifikimeve për Kampionatin Evropian “Euro 2024”, shkruan Gazeta Express.

Lexo Edhe:

Sipas mediumit “Agerpres.ro”, kjo vije si pasojë e incidenteve që po ndodhin në veri të Kosovës.

Presidenti i Federatës së Futbollit të Rumanisë (FRF), Razvan Burleanu, ka deklaruar të martën në një konferencë për media se është i shqetësuar për situatën në veri të shtetit të Kosovës dhe për këtë arsye ekziston mundësia që Kombëtarja rumune të mos jetë mbështetur nga tifozët në tribuna.

Razvan Burleanu

“Që në momentin e parë kur u shfaqën këto incidente në kufirin ndërmjet Serbisë dhe Kosovës, u krijua një grup pune në nivel të FRF-së, jemi në një dialog shumë të ngushtë me zyrën rumune në Prishtinë, me Federatën vendore të futbollit, si dhe me UEFA-n. Për momentin, duke marrë parasysh informacionet që kemi, mund të konkludojmë se nuk ka asnjë rrezik për ndeshjen zyrtare ndërmjet Rumanisë dhe Kosovës në Prishtinë, por ne kemi një shqetësim për sigurinë e tifozëve tanë që do të jenë në Prishtinë. Prandaj kërkoj nga tifozët që të shikojnë të gjitha kanalet zyrtare të FRF-së ku do të publikojmë të gjitha informatat që kemi sepse na intereson që siguria e përkrahësve të mos jetë në rrezik. Ky është qëllimi ynë. Në ditët në vijim do të kthehemi me më shumë informacion për këtë temë”, tha ai.

“Ne nuk kemi rrezik sa i përket ndeshjes. Kur ka ndeshje të tilla dhe ndodhin incidente të caktuara në zonë, automatikisht rritet numri i forcave të sigurisë dhe rendit. Gjë që sigurisht do të ndodhë në ndeshjen tonë në Prishtinë. Një nga skenarët tanë është thjesht të mos kemi përkrahjen e mbështetësve tanë nëse do të kemi rrezik për sigurinë e tyre”, shtoi Burleanu.

Kujtojmë se Rumania nuk e njeh shtetin e Kosovës. Si rezultat i kësaj, kur ishte hedhur shorti për kualifikimet e “Euro 2024”, nga rumunët kishte pretendime që edhe të bojkotojnë përballjet me “Dardanët”.

Megjithatë, pastaj Federata rumune njoftoi zyrtarisht se ndeshjen e tyre si nikoqir ndaj Kosovës do ta zhvillojnë në “National Arena” të Bukureshtit. /Gazeta Express/