Tifozët e Man Unitedit përgatisin protestat e radhës, pas sulmit në shtëpinë e drejtorit - Gazeta Express
string(87) "tifozet-e-man-unitedit-pergatisin-protestat-e-radhes-pas-sulmit-ne-shtepine-e-drejtorit"

Tifozët e Man Unitedit përgatisin protestat e radhës, pas sulmit në shtëpinë e drejtorit

Gazeta Express

29/01/2020 13:13

Manchester Unitedi duhet të bëhet gati për protesta të tjera këtë fundjavë, pasi që tifozët janë duke e diskutuar mundësinë ta lënë ndeshjen e Premierligës kundër Wolvesit të shtunën në minutën e 28-të ose të 68-të.

Të martën në mbrëmje, një grup prej 20 tifozëve të Manchester Unitedit u grumbulluan para shtëpisë së drejtorit ekzekutiv të klubit, Ed Woodwardit, dhe e xhiruan veten duke e sulmuar shtëpinë me fishekzjarrë dhe bombola gazi, transmeton Gazeta Express.

Lexo Edhe:

Ende nuk është raportuar për asnjë dëmtim serioz, pasi që Woodwardi, bashkëshortja e tij dhe dy fëmijët e tij nuk ishin të pranishëm në shtëpi gjatë kohës kur ndodhi incidenti.

Klubi reagoi ndaj këtij incidenti duke thënë se dhuna e tillë është e papranueshme dhe se pjesëmarrësit në këtë incident do të dënohen duke u pezulluar përjetësisht nga Old Traffordi.

Ndërkohë, shkaku i rezultateve të dobëta dhe mënyrës se si klubi është drejtuar gjatë sezoneve pas pensionimit të Sir Alex Fergusonit, tifozët kanë organizuar protestë për ndeshjen kundër Wolves më 1 shkurt, kur planifikojnë të dalin në mënyrë masive nga stadiumi në minutën e 58-të të ndeshjes.

Kjo ndeshje e shënjon përvjetorin e tragjedisë ajrore të Munihut, që ndodhi në vitin 1958. Për këtë arsye, për të pasur ndikim sa më të madh, organizatorët kanë planifikuar që protesta të mbahet në minutën e 58-të të ndeshjes.

Organizatorët po shpresojnë se kësaj iniciative të Manchester Unitedit do t’u bashkohen edhe mijëra tifozë, të cilët do të duhet t’i lënë ulëset e tyre të zbrazëta, si shenjë simbolike për fuqinë e tifozëve kundër familjes amerikane Glazers, që e ka pronësinë e klubit dhe e ka drejtuar atë në mënyrë kontroverse.

Tifozët e Manchester Unitedit e arritën kulmin e pakënaqësisë në disfatën me rezultat 2:0 në shtëpi kundër Burnleyt të mërkurën, që ishte hera e parë që Clarets siguruan fitore në Old Trafford në 58 vjetët e fundit.

Old Traffordi kishte mbetur pothuajse i zbrazur edhe në minutat e fundit të asaj ndeshjeje të mesjavës, pasi që mijëra tifozëve vendosën të largohen gjatë minutave të 80-ta për ta shprehur pakënaqësinë me gjendjen e klubit.

Tifozët kënduan këngë kundër Glazers dhe kërkuan që Woodwardi të shkarkohet. Kjo pakënaqësi e tifozëve pritet të vazhdojë të shprehet edhe në ndeshjet në vazhdim – atë në FA Cup kundër Tranmere, atë në Carabao Cup kundër Manchester Cityt dhe atë në Premierligë kundër Wolves.

Familja Glazers ka qenë e urryer nga tifozët e Manchester Unitedit që kur e mori pronësinë e klubit anglez në vitin 2005, pasi që i ka marrë mbi 1 miliard funte nga klubi, në 15 vitet e fundit, për vete, përderisa pronarët e klubeve të tjera të mëdha nuk marrin para nga klubet e tyre. /Gazeta Express/