Thirrja e Arta Dades për PS-në: Largoni Ramën, ata që krijuan krizën nuk mund ta zgjidhin atë!


Gazeta Express
16 Prill 2019 23:22

Një ndër personat më kritikë e njëkohësisht njohëse e vjetër e politikës e Partisë Socialiste, sot Arta Dade thotë se kryeministri do duhet të largohet për t’i hapur rrugën një dialogu normal pozitë- opozitë.

E ftuar në emisionin Tempora, ish deputetja e ish Ministrja e Jashtme deklaron se në PS ka mjaft figura që mund të vijnë në krye të qeverisë, pasi “koka” e kupolës tashmë është kapur në skandale të rënda.

Arta Dade: Nuk e shikoj zgjidhjen e krizës politike të afërt, për arsye se mungon vullneti politik. Është mazhoranca më së pari që të zgjidhet kriza politike sepse ajo nuk po qeveris. Kemi një mazhorancë monopartiake tashmë dhe një nga sugjerimet që unë kam muaj që po e them është që mazhoranca duhet ta zgjidhi këtë problem duke kërkuar që kryeministri të largohet, të vendoset një kryeministër tjetër që duhet të jetë më i pranueshëm dhe që nuk mbart përgjegjësi kaq të mëdha mbi veten. Sepse dihet që kemi një mazhorancë që është kapur në skandale, të cilat do të duhen kohë që të zgjidhen.

Dade u shpreh se është cënuar rëndë siguria dhe rendi i vendit, një kumpt që nënkupton detyrimisht grabitjen e fundit në Rinas, pavarësisht se vetë Dade nuk e ka përmendur në mënyrë direkte.

Nga ana tjetër, Dade ka theksuar se maxhoranca është e kapur nga korrupsioni, ndërsa opozita ka hyrë në një rrugë e cila është e paprecedentë dhe e gabuar.

Arta Dade: Nuk mendoj që kemi një kapje të shtetit në kuptimin klasik të fjalës, por është shqetësuese që ka segmente shumë të rëndësishme të shtetit që nuk po funksionojnë. Pra kam parasysh pushtetin gjyqësor, por mbi të gjitha Gjykata Kushtetuese që ka kohë që nuk funksionin. Kam parasysh edhe Parlamentin, i cili nuk punon në kapacitetin dhe në formatin e tij të zakontë me djegien e mandateve nga ana e opozitës që është një gjë e paprecedentë, që dëmton shuëm rëndë funksionimin e parlamentit, dëmton shumë rëndë demokracionë dhe dëmton shumë rëndë vetë opozitën. Kemi një sërë institucionesh që nuk po funksionojnë, është cënuar siguria në mënyrë serioze, në vend dhe unë besoj se segmente shumë të rëndësishme të shtetit, si ekzekutivi janë kapur nga korrupsioni. Kemi një rezultat të munguar në luftën kunër krimit të organizuar. 

Dade në fund të fjalës së saj ka folur dhe për një lëvizje të PS-së dhe një vullnet për të ecur përpara, duke shtuar se ata persona që e kanë krijuar krizën kurrsesi nuk mund ta zgjidhin.

Dade: Dikur PS mendonte se mund të sakrifikonte pushtetin për të bërë shtetin, ndërsa tani forcat politike kërkojnë të sakrifikojnë shtetin për të mbajtur me thonj pushtetin, ose për të ardhur me rrugë të gabuara drejt pushtetit. Besoj se për sa kohë mungon vullneti politik dhe këtu dua të inkurajoj kolegët e mi që ndodhen në grupin e mazhorancës, duhet bërë një lëvzije… zërat nuk kanë munguar. Kujtoj Bushatin që bëri thirrje për dialog. Ne duhet ta gjejmë forcën që të mendojmë për interesa madhore të Shqipërisë.

Artikull i sponsoruar

Te fundit


Kthehu lart