Thesari i kulturës materiale arkeologjike në IKMM


Gazeta Express
9 Korrik 2019 11:27

Kulturën shpirtërore të një grupi etnik dhe të një populli e pasqyrojnë monumentet e kulturës materiale të lëvizshme dhe të pa lëvizshme

Ismet Hajrullahu

Veprimtaria e Institutit të Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve është kontribut i shumë brezave të arkeologëve, konservatorëve, restauratorëve dhe specialistëve të fushave të ndryshme të trashëgimisë kulturore.

Projekti i gjetjeve arkeologjike në IKMM  që po zbatojmë si  Institut i Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve nga ekspertët e arkeologjisë ka për qëllim riparimin, vlerësimin dhe sistematizimin e inventarit të pasur arkeologjik sipas periudhave kohore. Gjatë periudhës së  gjatë të punës së Institutit të Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve  ka realizuar jo vetëm zbulime, restaurime dhe konservime të kulturës materiale e shpirtërore të qytetërimeve të shkuara (vendbanime, kala, qytete, monumente, objekte banimi, objekte kulti etj.), por nëpërmjet shumë ekspeditave kërkimore, hulumtuese dhe konservuese forcoj edhe fizionominë si Institut i mirëfilltë kërkimor – hulumtues.

Grumbullimi i inventarit arkeologjik të mbi gjashtë dekadave që posedon Instituti i Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve dëshmonë zhvillimin e grupeve  të shoqërisë njerëzore që nga parahistoria e largët. Duke mos pas dëshmi të shkruara, mjerisht  shumëçka mbetet e errësuar nga bota parahistorike, por për fat të mirë të dhënat materiale arkeologjike janë ato që hapin mundësinë që të shohim botën e panjohur  dhe të heshtur e që është shumë e largët nga kohërat tona. Monumentet arkeologjike natyrisht nuk kanë gojë për të folur por realisht dhe objektivisht flasin me gjuhën e fakteve dhe dëshmive të kohës, e të cilat janë burim i të dhënave të para studimore për përcaktimin e periudhave të caktuara historike. 

Elementi përbërës i një mjedisi shoqëror dhe natyror ku njeriu jeton, vepron dhe e zhvillon jetën e vet, padyshim është trashëgimia kulturore. Shoqëria dhe Njeriu i botës së civilizuar përherë ka qenë të interesuar që të njoh lashtësinë dhe të kaluarën e vet historike. Përpjekja e njeriut, kombeve,  për t’i zbuluar rrënjët e veta, kulturën, artin, religjionin, traditën etj., janë dëshira dhe synime të arsyeshme, intensiteti i së cilës, me kalimin e shekujve ka ardhur duke u rritur. Njeriu jo vetëm se është i lidhur ngushtë me kulturën, artin dhe religjionin, por ai është qenie kulturore, gjegjësisht  një qenie e kulturës, artit dhe religjionit. Instinkti i njeriut është që të zbukuroj dhe ta idealizoj jetën për t’i nxjerrë në pah anët e mira të jetës së tij, vlerat dhe krijimtarinë e vet artistike, estetike dhe religjioze si shprehje jetësore në përgjithësi. Prandaj për këtë kultura dhe qytetërimi njerëzor ekzistojnë që nga ekzistenca e shoqërisë njerëzore. Kultura e lidh drejtpërdrejt ose tërthorazi përmbajtjen me formën, anën e brendshme me të jashtmen, të pa dukshmen  me të dukshmen duke ngjiz antropologjinë kulturore, religjioze, gjuhësore, shoqërore, historike dhe filozofike. Kështu kultura në përgjithësi si proces shoqëror është dhe mbetët pasqyra më reale e një populli.

Në kohën antike fiset dhe popujt e kulturave dhe të qytetërimeve të ndryshme, njerëzit e dalluar për nga mençuria, interesoheshin për prejardhjen e njeriut, gjenealogjinë e familjare, trungun e brezave të një fisi dhe të njëri – tjetrit. Njerëzit me ndihmën e kulturës materiale dhe shpirtërore ndajnë ndërmjet veti sjelljet e përbashkëta, mënyrën e të menduarit, të besuarit dhe të jetuarit. Tërë kjo ka lënë gjurmë të dukshme në formën e trashëgimisë materiale dhe shpirtërore që nga lashtësia e largët parahistorike dhe gjatë gjithë shekujve me radhë deri sot e kësaj dite. Ritualet mortore, materiali i lëvizshëm arkeologjik dhe mbetjet antropologjike, mundësojnë të rikonstruohet dëshmia për ekzistencën e një qytetërimi të caktuar.

Kulturën shpirtërore të një grupi etnik dhe të një populli e pasqyrojnë monumentet e kulturës materiale të lëvizshme dhe të pa lëvizshme. Si uji që pasqyron qiellin, edhe monumentet e kulturës në mënyrë të qartë e pasqyrojnë kulturën, artin, religjionin, mënyrën e jetës dhe të epokës së një shoqërie dhe kombi. Prandaj, lidhur me këtë natyrisht lind  pyetja: Ç’është jeta dhe vlera e një monumenti të kulturës? Ç’është kultura dhe kundër kultura, vlerat kulturore të një shoqërie, e pa shkruara dhe e shkruara që flasin mbi të kaluarën e shoqërisë njerëzore?

Trashëgimia kulturore materiale, e luajtshme dhe e paluajtshme, përfshijnë të gjitha objektet e ndërtuara gjatë periudhave parahistorike dhe historike. Në këtë veprimtari krijuese të veprave materiale, kulturore dhe religjioze bëjnë pjesë: mbetjet e vendbanimeve, qeramika, rrënojat objekteve të qyteteve të lashta dhe të kështjellave të vjetra, etj. Gjitha këto dëshmojnë elementin shqiptar si dhe traditën që i ka rrënjët e veta në popullsinë e vjetër Pellazge –  Ilire – Shqiptare, që mbisundonte në Dardani që prej antikitetit. Në trashëgimin kulturore të botës shpirtërore bëjnë pjesë: gjuha, religjioni, doket, zakonet tradicionale, etj. Ndërsa kultura materiale në mënyrën e vet e përcjellë nga gjenerata në gjeneratë kulturën shpirtërore – ‘shpirtin’ e njeriut në shekuj që ka rëndësi dhe vlerë të veçantë historike dhe religjioze për të kaluarën dhe të ardhmen e një populli.

Depërtimi i grupeve etnike dhe popujve me kulturë të ndryshme në trojet dardane qysh nga parahistoria, kaluan pikërisht përmes kësaj treve të pasur e pjellore, luginave të bukura dhe rrugëve kryesore. Kur përmedim rrugët natyrisht duhet të theksojmë se ato çdoherë kanë patur rëndësi jetike për lëvizjen e njerëzve dhe për zhvillimin ekonomik dhe tregtarë të shoqërisë në përgjithësi. Rrugët jo vetëm që lidhin fshatrat me njëri – tjetrin, vendet rurale me qendrat urbane, por në kohën e sundimit të Perandorisë Romake ato kishin rëndësi të veçantë ushtarake dhe tregëtare. Për këtë romakët e lashtë e zhvilluan rrjetin e venbanimeve urbane dhe të rrugëve, të cilat lidheshin me sistemin rrugor të mbarë Perandorisë. Prandaj, edhe vendbanimet e asaj kohe në radhë të parë kanë qenë stacione – baza ushtarake siç ishte Ulpiana afër Prishtinës, qendra më e rëndësishme Dardane, e cila në shek. III dhe IV e arriti kulminacionin e zhvillimit dhe autorët antik me të drejtë e quajtën qytet madhështor – Urbus Splendidissima.

Rruga kryesore e cila kalonte përmes Dardanisë antike ishte rruga Naissus – Lissus (Nish – Lezhë), njëra nga rrugët kryesore e provincës së Mezisë së Epërme (Moesia Superior) qe ishte themelua në vitin 44 para Krishtit. Si e tillë kjo rrugë është shënuar në të ashtuquajturen Tabula Peutingeriana – hartë me rrugë romake nga shek. IV dhe e kopjuar në shek. XIII. Dy nga rrugët kryesore të komunikimit dhe disa tjera sporadike u shfrytëzuan gjatë periudhave të gjata kohore. Kështu dy rrugët kryesore që lidhën tërë rajonin në kohën antike ishte rruga: Scupi – Vicianum – Vindenis – Ad Fines, ndërsa rruga tjetër përmes Lugut Drinit të Bardhë lidhi Rrafshin e Dukagjinit me rrugët e përmendura, me pjeset tjetra të atdheut të shqiptareve  dhe bregdetin shqiptar. Shumë prej këtyre rrugëve ishin rrugë të dorës së dytë që lidhinin lokalitetet dhe rajonin e brendshëm. Lidhjet tjera rrugore ishin lidhjet përmes luginës së Sitnicës, Ibrit që lidhnin rrafshin e Kosovës me Moraven Perëndimore dhe me viset tjera veriore.

Qeramika e stileve të ndryshme e zbuluar gjatë ekspeditave dhe të një pune të gjatë,  e të grumbulluar por mjerisht e keq trajtuar dhe  sistemuar në mënyrë jo profesionale në depotë e IKMM-së, ka qenë e pa trajtuar që nga paslufta e fundshekullit XX për Kosovën. Tani keto gjetje arkeologjike po trajtohen në mënyrë profesionale nga një ekip multidiciplinar si arkeologë,  arkitekt, piktor, etnolog e profile tjera, gjë që ka nxjerrë në dritë një repertor faktesh dhe të dhëna arkeologjike e që argumetojnë vendodhjen dhe shtrirjen e saktë të lokaliteteve arkeologjike të periudhave të ndryshme parahistorike dhe historike në territorin e Republikës së Kosovës.

/Autori është drejtor i Institutit të Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve

Artikull i sponsoruar

Te fundit


Kthehu lart