Mbrëmë në fshatin Babimoc të Obiliqit, dyshohet se dy qytetarë serbë janë therë me thikë nga dy meshkuj kosovarë. Media serbe Kosovo-Online ka publikuar fotografi të viktimës 19 vjeç Nemanja Mitroviq në spital dhe babait të tij Sasa Mitroviq të cilët thuhet se janë sulmuar nga Avdullah Shabani, transmeton Gazeta Express.
Policia e Kosovës në raportin 24-orësh lidhur me rastin njofton se pas një mosmarrëveshje dy të dyshuar meshkuj kosovar kanë sulmuar fizikisht me një mjet të mprehtë-thikë dy viktimat meshkuj kosovar.
“LËNDIM I RËNDË TRUPOR & Armëmbajtje pa leje-thikë, Obiliq 12.09.2022-21:30. Janë arrestuar dy të dyshuar meshkuj kosovar nën dyshimin se të njëjtit për shkak të një mosmarrëveshje çasti, kanë sulmuar fizikisht me një mjet të mprehtë-thikë dy viktimat meshkuj kosovar. Viktimat kanë pësuar lëndime dhe janë dërguar në trajtim mjekësorë dhe sipas mjekëve gjendja e tyre është stabile, ku njëri prej tyre është liruar. Me vendim të prokurorit, të dyshuarit pas intervistimit janë dërguar në mbajtje. Rasti është duke u hetuar nga njësitet kompetente policore”, thuhet në raportin e Policisë.
Dy viktimat mbrëmë janë transportuar në Spitalin e Mitrovicës së Veriut dhe gjendja e tyre është stabile.