Thaçi: Zaev më telefonoi, më kërkoi falje për bisedën me rusët, tha se të gjitha janë thashetheme të Sputnikut


Gazeta Express
11 Korrik 2019 10:09

Pas takimit lamtumirës me shefen e EULEX-it në Kosovë, Alexandra Papadopoulou, Thaçi është pyetur rreth bisedës së kryeministrit të Maqedonisë, Zoran Zaev, me komikët rusë, të cilëve u kishte thënë se ka një plan për ndarje të Kosovës.

Thaçi ka thënë se Zaev e ka telefonuar mbrëmë dhe i ka thënë se ato çka i ka folur janë të bazuara në thashethemet ruse.

“Unë mbrëmë kam zhvilluar një bisedë telefonike me Zaevin, rreth 20 minuta. Ai më ka thirrur për t’u sqaruar me atë që ai ka biseduar me njerëzit që e kanë thirrur. Më ka thënë qartë se kjo ka qenë një rrethanë ku ka rënë pre e mashtrimit. Gjoja se 10 komunat që do t’i jepen Serbisë janë të bazuara në thashetheme dhe dezinformata dhe në të dhënat e Gazetës Sputnik dhe thashethemet ruse. Më ka kërkuar falje mua personalisht dhe Kosovës dhe në të njëjtën kohë ka potencuar se ato që ai ka folur me mashtruesit, të cilët e kanë thirrur në telefon, se nuk ka asnjë fakt, asnjë evidencë, as informacion zyrtar për atë që ka deklaruar, por të gjitha janë të bazuara në thashetheme”.

I pyetur se si do të jenë tani raportet me Maqedoninë fqinje, Thaçi është shprehur se ato do të vazhdojnë të jenë të mira.

“Raportet me Maqedoninë kanë qenë dhe do të mbesin korrekte, Kosova do të vazhdojë ta fuqizojë perspektivën e saj euroatlantike”. /GazetaExpress/

Te fundit


Kthehu lart