Thaçi thotë se kurrë s’ka qenë kundër taksës – Këto janë 5 deklaratat kur ai kërkon me ngulm heqjen e saj - Gazeta Express

Thaçi thotë se kurrë s’ka qenë kundër taksës – Këto janë 5 deklaratat kur ai kërkon me ngulm heqjen e saj

Lajme

Gazeta Express

03/05/2019 7:40

Presidenti i vendit, Hashim Thaçi, sot në një intervistë për Radion Evropa e Lirë e ka quajtur “gënjeshtër” faktin se ai ka kundërshtuar disa herë taksën prej 100% ndaj produkteve serbe.

Thaçi, madje, i ka quajtur gënjeshtarë dhe mashtrues ata që nuk i kanë harruar qëndrimet e tij rreth taksës së vendosur nga qeveria e Kosovës më 21 nëntor të vitit të kaluar.

“Është gënjeshtër e kulluar nga kushdo që e ka prezantuar se unë e kam refuzuar taksën dhe merrni deklaratat e mia, një nga një, nga dita e parë. Në momentin që është propozuar nga zoti (Enver) Hoxhaj për 10 për qind, e kam mbështetur dhe në momentin që është propozuar nga kryeparlamentari (Kadri) Veseli në 100 për qind, e kam mbështetur. Taksa është vendim legjitim dhe i drejtë dhe duhet të mbetet. Gjërat tjera, kush ka deklarime të tjera, është gënjeshtar dhe mashtrues”, ka deklaruar Thaçi.

Kur Thaçi kërkonte heqjen e taksës, përdorte gjithmonë arsyen e presionit ndërkombëtar dhe prishjes së marrëdhënieve me shtetet mike të Kosovës. Por sot ai ka bërë deklarata krejtësisht të ndryshme.

“Asnjë presion nuk kam pasur në Berlin në asnjë takim për heqjen e taksës. Të gjitha kanë qenë improvizime aktruese për poena politikë. Askush nuk ka pasur ndonjë presion”, ka thënë ai.

6 shkurt – Në një intervistë për Zërin e Amerikës, Thaçi deklaron:

“Kemi një këshillë këmbëngulëse që së paku në një periudhë tre mujore të pezullohet taksa. Jam optimist se do t’i hapet një perspektivë dialogut”.

“Jam optimist në vendime të drejta, në vendime strategjike, jam optimist se Kosova nuk do ta merr barrën e bllokadës së procesit të negociatave. Ne kemi insistuar që të vazhdojë dialogu, pavarësisht taksës, por kemi një këshillë këmbëngulëse edhe prej Washingtonit edhe prej Bashkimit Evropian, që së paku për disa kohë, tre mujore ose katër mujore, të pezullohet kjo çështje që t’i hapet mundësi e re vazhdimit të dialogut dhe mundësi arritjes së një marrëveshjeje paqësore në mes të dy vendeve”.

8 shkurt – Në një intervistë për Indeksonline, Thaçi deklaron:

“Kosova nuk do të lejoj që të përceptohet si pengesë për vazhdimin e dialogut, vendimi për tarifën është marrë në një kohë tjetër, në një kohë të veprimeve agresive të Serbisë në raport me Kosovën. Jo që janë ndaluar ato veprime, por të njëjtën kohë ne duhet të respektojmë edhe këshillat e miqve, që realisht janë kontributorë të jashtëzakonshëm për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës, e ne së bashku gjithmonë kur kemi qenë me SHBA–të, BE–në e NATO–n, kemi pasur gjithmonë sukses, kështu që duhet të kemi sukses edhe në të ardhmen, në mënyrë që të evitojmë pengesat për vazhdimin e dialogut dhe mundësinë e arritjes së një marrëveshje përfundimtare”.

17 shkurt – Në një intervistë për Top Channel, Thaçi deklaron:

“Nuk ka çmim dhe kauzë që do të mund të cenojë partneritetin e popullit të Kosovës me SHBA. Mund të jetë cenim i qeverisë amerikane në raport me ndonjë politikë të gabuar të qeverisë së Kosovës”.

“Kosova gjithnjë ka qenë e bekuar që ka pasur mbështetjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Liria dhe pavarësia e Kosovës janë produkt kryekëput i Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe rezistencës që kemi zhvilluar në Kosovë. Çdo herë që Kosova ka qenë e koordinuar me Bashkimin Europian dhe para së gjithash me Shtetet e Bashkuara të Amerikës ka dalur mirë dhe fitues dhe pa hezitim ne do të respektojmë këto këshilla në mënyrë që kjo vështirësi apo kjo rrethanë vështirësuese që është paraqitur të tejkalohet dhe do të vazhdohet me partneritetin special, strategjik me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Kosova gjithashtu është me fat dhe ndihem shumë krenar si president i vendit që kemi popullatën më proamerikane në botë dhe në asnjë rrethanë nuk duhet të lejojmë që të kemi qasje të gabuar në raport me SHBA-të po as me zhvillimin në Kosovë dhe rajon nga qeveria e Kosovës”.

13 shkurt – Në një intervistë për Radio Televizionin e Kosovës, Thaçi deklaron:

“Askush nuk mund të dal mbi interesat strategjike të Kosovës. Taksa ka pasur efektin e vet, por për hir të një dëmi që mund t’i bëhet Serbisë, ne nuk mund ta cenojmë raportin e përjetshëm me Amerikën. Taksa ka ardhur si një incident politik, pa një analizë, pa një studim. Duke marrë yrysh që të merret vendimi në mbledhje”.

“Gjendja në të cilën jemi është një situatë e re dhe e pamenduar se do të mund të ndodhte. Ajo që dua të them është se, ne duhet të jemi gjithmonë mirënjohës ndaj Amerikës. Por kemi të bëjmë mos-dëgjimin e këshillave të SHBA-së, kemi kaluar në një situatë jo të mirë. Me këtë jorespektim për fat të keq i kemi kaluar edhe vendet që kanë qenë në konflikt me Amerikën”.

“BE-ja nuk liberalizon vizat për Kosovën pa e hequr taksën, e lëre më shumë sanksione tjera që mund të vijnë. Por, nuk dua ta bëjë situatën më dramatike”.

“Kam parasysh se partneriteti duhet të ruhet gjithmonë. Askush nuk e mohon të drejtën e shtetit të Kosovës për marrjen e vendimeve vet, por ne jetojmë në një botë të ndryshueshme me vendime që duhet të evoluojnë”.

“Vlerësoj dhe ftoj gjithë partnerët e koalicionit që të shqyrtojnë mundësitë për pezullimin e përkohshëm të kësaj takse apo për reciprocitet me Serbinë në mënyrë që t’i fuqizojmë raportet me SHBA-të”’.

“Në raport me taksën nuk kemi pasur në asnjë rrethanë. Partnerët e koalicionit duhet të diskutojnë duke pasur parasysh që e ardhmja e Kosovës është e lidhur ngushtë me ShBA-në. Mik mund të jesh kur i respekton këshillat, nuk e mohoj amerikanizmin e liderëve por në të njëjtën kohë respekti duhet të jetë i ndërsjellë dhe jo i njëanshëm”.

“Unë kam shprehur këshillën time por edhe rekomandimin që të ndodhë një pezullim i përkohshëm”.

“Mund të kemi masa që do të ndërmerren nga ShBA dhe BE dhe këto masa nuk i meritojnë qytetarët e Kosovës. Nga BE nuk do të ketë liberalizim të vizave për qytetarët e Kosovës dhe do të ketë masa që do të jenë shqetësuese për qytetarët e Kosovës edhe pse nuk po dua t’i dramatizoj”.

14 mars – Në një intervistë në Klan Kosova, Thaçi deklaron:

“Argumentet që të na mbështesin kanë çaluar, por nuk do të ndodh prishja. Ka këshilla miqësore që të lëvizet përpara dhe të hapet një perspektivë për të ardhmen euro-atlantike”

“Politikat ditore, javore dhe elektorale nuk do ta cenojnë raportin strategjik mes Kosovës dhe SHBA-së, apo vende tjera perëndimore”.

“Nga ajo që shoh dhe që kam parë në rrafshin diplomatik, Serbia është për atë që të mos ndodhë dialogu. Në Serbi ka entuziazëm me ngërçin në Kosovë. Nëse vazhdon dialogu, Serbia do të detyrohet që ta njohë Kosovën”.

“Kërkesa e Bashkësisë Ndërkombëtare është që t’i respektojmë këshillat që t’i hapet mundësi vazhdimit të dialogut. Ky proces nuk mund të zhbllokohet njëanshëm dhe është i patolerueshëm kushtëzimi i Beogradit. Kosova do të ecë paralel me Bashkësinë Ndërkombëtare. Kam besim, sepse kam qëndruar afër me partnerët tanë dhe se gjërat e tilla do të tejkalohen”.

“Kanë një zhgënjim në raportet tona bashkëpunuese, por s’do të ketë cenim. Janë të njohura botërisht kërkesat e amerikanëve, europianëve, gjermanëve. Kur fillon të preket vija e kuqe, atëherë do të ndërhyjnë”. /Insajderi.com