Thaçi po tmerrohet nga heqja e vizave për Kosovën, e godet ambasadorin e Gjermanisë


Gazeta Express
15 Maj 2019 20:33

Prej kur Kryeministri Ramush Haradinaj ka marrë sinjale pozitive nga Gjermania për mundësinë e heqjes së vizave Presidenti Thaçi nuk po bëhet rehat. Ai duke u bazuar në dezinformata ka shkruar një status të pashembulltë, duke e goditur ambasadorin e Gjermanisë.

Haradinaj sot e ka takuar ambasadorin gjerman, Christian Heldt. Kjo e ka alarmuar presidentin Thaçi, e në orët e mbrëmjes i ka kushtuar një status.

Presidenti Hashim Thaçi përmes një statusi ka vazhduar të godas Gjermaninë, kësaj radhe përmes ambasadorit të saj dhe përfaqësuesve të tjerë gjermanë që së fundmi vizituan Haradinajn.

Thaci thotë se “bredhja” e disa diplomatëve nëpër zyre, që sipas tij, po lobojnë që përmes liberalizmit të vizave të heqin taksën.

Presidenti që deri së fundmi ishte kundër taksës ndaj Serbisë dhe bënte thirrje të pezullohej, tash po e përdorë si armë kundër bashkësisë ndërkombëtare, e sidomos Gjermanisë.

Në një status në Facebook, ai ka folur për disa diplomatë, që sipas tij, po provojnë të bindin institucionet që të heqin taksën ndaj produkteve serbe në këmbim të liberalizimit të vizave.

“Bredhja turistike e disa diplomatëve të rangut të ulët fshehtas nga një kënd në këndin tjetër të Prishtinës, nga një zyrë në zyrën tjetër të institucioneve vendore, duke lobuar për heqjen e taksës ndaj mallrave të Serbisë në këmbim të liberalizimit të vizave, është fyerje e radhës për institucionet dhe qytetarët e Kosovës”, ka shkruar Presidenti.

Këtë ofertë ai e quan hileqare, dhe madje thotë se vjen nga ata që duan të ndajnë Kosovën.

“Kjo ofertë hileqare dhe diskriminuese e tyre dhe planet për asociacion me kompetenca ekzekutive apo projekti “kreativ” për sovranitet të dyfishtë, nuk janë asgjë tjetër përveç opsione me qëllim përfundimtar për ndarje të Kosovës”, ka shkruar tutje Thaci.

“Këto projekte janë të turpshme dhe si të tilla plotësisht të papranueshme, sot dhe gjithmonë. Kosova është një dhe e pandashme”, përfundon i pari i vendit.

Vlen të përmendet se Presidenti “luftën” me Gjermaninë e ka nisur që një kohë.

Ai e kishte fajësuar Gjermanin se Samitin e Berlinit nuk e kanë koordinuar  me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Dicka të tillë e ka mohuar Ambasada gjermane për Gazetën Express, duke thënë se SHBA ka qenë e informuar. /Express/

Te fundit


Kthehu lart