Thaçi niset drejt SHBA-së për të marrë pjesë në një pritje të Trumpit


Gazeta Express
18 Shtator 2019 13:33

Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, sot është nisur për në SHBA, ku do të ketë takime zyrtare në Iowa dhe New York, ka njoftuar zyra e presidentit përmes një komunikate për media.

Në Des Moines, kryeqytetin e Iowa-s, me të cilin është binjakëzuar Kosova, presidenti Thaçi do të vizitojë pjesëtarët e FSK-së që janë duke ndjekur trajnime në Gardën Kombëtare të shtetit të Iowa-s. 

Ai, po ashtu, do të takojë studentet kosovare që kanë shkuar të ndjekin studimet postdiplomike në kuadër të programit “Gratë në energji” të “MFK”.

Ndërsa, në New York, presidenti Thaçi do të ndjekë punimet e Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara.

Takimi kryesor është pritja te Presidenti i Shteteve të Bashkuar të Amerikës, Donald Trump.

Presidenti Thaçi do të marrë pjesë edhe në darkën e shtruar nga Përfaqësuesja e Lartë e BE-së, Federica Mogherini, për liderët e Ballkanit Perëndimor.

Në kuadër të punimeve të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, presidenti Thaçi pritet të takojë krerë shtetesh të vendeve nga bota dhe liderë të organizatave ndërkombëtare. /GazetaExpress/

Te fundit


Kthehu lart