Thaçi i jepte meritat për taksë, Hoxhaj thotë se ky debat ka degraduar


Gazeta Express
15 Qershor 2019 19:21

Sipas tij, në këtë kohë vendi ka më së shumti nevojë që e gjithë skena politike në vend të bëhen bashkë për çështje të mëdha, duke përfshirë edhe dialogun me Serbinë, si njërin ndër proceset më të rëndësishme.

Hoxhaj thotë se debati për taksën ndaj produkteve serbe ka degraduar, ngase sipas tij, institucionet duhet të shohin vendimeve afatshkurta të cilat janë interesat dhe pritjet afatgjate.

Kujtojmë se pak kohë më parë Presidenti i vendit, Hashim Thaçi, i jepte meritat nënkryetarit të PDK’së për vënien e taksës, ndërsa momentalisht Hoxhaj thotë se debati për taksën ka degraduar.

“Debati për taksën ka degraduar. Mendoj që Kosova nuk guxon që ta reduktoj politikën e saj të jashtme në dialog dhe dialogun ta reduktoj në taksë. Ky debat ka degraduar, Kosova duhet të sheh përtej vendimeve afatshkurta të cilat janë interesat dhe pritjet afatgjate, strategjike të saj”.

Ai pret që dialogu me Serbinë, i pezulluar pas vendosjes së taksës, të përmbyllet këtë vit, ndërsa në vitin 2020 të ndodh njohja e ndërsjellët.

“Jam i mendimit se viti 2019 mund të jetë një vit historik me nisë një proces negocues, i cili mund të përmbyllet në 2019, por ndoshta në 2020 me njohje të ndërsjellët. Ne duhet të kemi kurajo, vendosmëri dhe përkushtim të mirëfilltë që ta përmbushim këtë temë me Serbinë që natyrisht nuk do të jetë e lehtë”.

Dinamikë të re dialogut, Hoxhaj thotë se mund t’i japë Samiti i Parisit, edhe pse janë shtuar zërat se samiti i gushtit mund të dështojë.

Sipas tij, Samiti i Parisit mund të jetë një hallkë e rëndësishme që ta rikthejë shpejtësinë e dialogut.

“Ende ka hapësirë dhe kohë sa që Samiti i Parisit të jetë një sukses. Ka një vëmendje dhe përkushtim të madh amerikan dhe evropian që dialogu Kosovë-Serbi të përmbyllet me njohje të ndërsjellët. Padyshim që prej shtatorit mund të ketë një dinamikë të re të dialogut Kosovë-Serbi dhe Samiti i Parisit mund të jetë një hallkë e rëndësishme që ta rikthejë shpejtësinë e dialogut”.

“… por ajo që është e rëndësishme sa i takon Samitit të Parisit është që ne të kemi qëllime të qarta para se të shkojmë në Paris që të ndjekim parime shumë të mirëfillta para se të ulemi në tavolinë dhe ta kemi një mendim strategjik se cilat mund të jenë objektivat madhore të cilat mund t’i përmbushë Kosova jo vetëm në takimin e Parisit, por edhe në dialogun Kosovë-Serbinë”.

Artikull i sponsoruar

Te fundit


Kthehu lart