Thaçi i gënjen ambasadorët e BE-së për Samitin e Berlinit, u thotë s’ishte i koordinuar me Amerikën


Gazeta Express
15 Maj 2019 12:44

Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, sot ka ftuar në një takim të gjithë ambasadorët e huaj që janë në Kosovë, ku ka vazhduar përpjekjet e tij për zhvleftësimin e takimeve të ftuara nga kancelarja gjermane, Angela Merkel, dhe presidenti i Francës, Emanuel Macron.

Edhe përkundër faktit se nga Qeveria Gjermane e kanë pohuar zyrtarisht në një përgjigje për Gazetën Express se kishte koordinim të plotë me SHBA-në për organizmin e Samitit të Parisit, Thaçi përsëri është përpjekur që të shfrytëzojë pretendimin e tij për moskoordinim gjermano-amerikan, për të goditur Samitin e Berlinit dhe kancelaren gjermane, Angela Merkel.

Para ambasadorëve dhe shefave të misioneve, Thaçi ka përsëritur edhe një herë se ishte befasuar për të keq kur ka mësuar që për takimin e Berlinit nuk kishte koordinim me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, edhe pse për këtë gjë të hënën ka marrë demantin nga Qeveria e kancelares gjermane, Angela Merkel.

Ndërkohë ai është munduar t’u përgjigjet zërave të cilët thonë se në Berlin është varrosur ideja për korrigjim të kufijve, duke thënë se në kryeqytetin gjerman nuk është mbyllur e as nuk është hapur ndonjë ide e re, për zgjidhjen e problemit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

“Takimi i Berlinit as nuk mbylli dhe as nuk hapi ndonjë ide apo koncept për mundësinë e arritjes së marrëveshjes përfundimtare Kosovë-Serbi”, citohet të ketë thënë Thaçi në komunikatën e lëshuar nga zyra e tij, raporton Gazeta Express.

Thaçi ndër të tjera ka pretenduar se takimi i mbajtur në Berlin nuk ishte i përgatitur mirë, dhe shpreson që një gjë e tillë të mos ndodh njësoj edhe në Samitin e Francës që do të mbahet më 1 korrik të këtij viti.

“Shpresoj se takimi në Paris do të jetë më mirë i përgatitur se vendet anëtare të BE-së do të jenë më unike, do të prezantojnë ide kreative si të lëvizet përpara dhe takimi do të ketë substancë”, ka shtuar ai.

Megjithatë, ai thotë se e vlerëson lart vullnetin e Merkelit dhe Makroni që çështjet në rajon të lëvizin përpara.

“Vlerësoj lart vullnetin e mirë të kancelares Merkel dhe këmbëngulësinë e presidentit Macron që çështjet e Ballkanit Perëndimor të lëvizin përpara”, u shpreh presidenti Thaçi.

Në fund ai ka folur edhe për çështjen e taksës duke thënë se nuk pranojnë kushtëzime nga Serbia dhe se ajo nuk do të hiqet.

Ndërkohë ka kritikuar edhe një herë vendet e BE-së, për mosunitet sa i përket liberalizimit të vizave për Republikën e Kosovës. /GazetaExpress/

Te fundit


Kthehu lart