Thaçi: Dua ta marrim Luginën pa dhënë asnjë centimetër tokë të Kosovës


Gazeta Express
25 Maj 2019 14:57

Mundësinë e bashkimit të Luginës me Republikën e Kosovës, presidenti Hashim Thaçi e ka përmendur edhe para qytetarëve të Hasit, derisa pranoi dekoratën “Qytetar nderi” në Krumë të Shqipërisë. Aty Thaçi ka thënë se në një të ardhme të afërt, Kosova dhe Shqipëria do të jetojnë bashkë, pa kufi.

Presidenti Thaçi tha se do të vazhdoi përkushtimin e tij, që ai e quajti jetësor për bashkëngjitjen e Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit, me territorin e Republikës së Kosovës.

Thaçi tha se Lugina do t’i bashkohet Kosovës pa u cenuar asnjë milimetër e territorit të Republikës së Kosovës, pa u prekur Ujmani e Trepça.

Në Krumë, Thaçi u tha qytetarëve të Hasit, se shqiptarët jetojnë të ndarë me kufi padrejtësisht.

“Ju keni qenë bashkërisht në istikamet e luftës dhe bashkërisht do të jetojmë në liri, dhe bashkërisht do të jetojmë në të ardhmen e afërt në një shtet të përbashkët Kosovë-Shqipëri. Të jeni të sigurt që shumë e lehtë është realizmi i ëndrrës që të kemi një hapësirë pa kufi mes Kosovës dhe Shqipërisë, sesa që ka qenë sfida e largimit të Serbisë nga Kosova dhe kjo do të ndodh. Ju e dini botërisht dhe e ritheksoj edhe sot këtu në mesin e burrave të Hasit dhe grave, zotimin tim dhe përkushtimin tim jetësor që Presheva, Medvegja dhe Bujanoci t’i bashkëngjiten territorit të Republikës së Kosovës pa u cenuar asnjë milimetër e territorit të Republikës së Kosovës, as Trepça, as Ujmani, as Mitrovica, asnjë cep i territorit të Kosovës si parakusht për bashkim kombëtar”, tha ai, transmeton kosovapress.

Thaçi tha se misioni i Kosovës për liri dhe pavarësi është i pamjaftueshëm dhe se shqiptarët janë ndarë padrejtësisht e tani duhet të bashkohen me vullnet. Ai tha se ka ardhur momenti të punohet mençurisht, duke nënkuptuar largimin e pikave kufitare që sipas Thaçit janë të imponuara padrejtësisht.

Ndërkohë për çmimin që iu nda, Thaçi tha se ndjehet shumë mirënjohës dhe tha se ky nderim është për UÇK-në, heronjtë e kombit, dëshmorët, martirët dhe luftën e drejtë për liri.Dekorata për Thaçin u nda me “motivacionin për kontributin e pazëvendësueshëm për çlirimin e trojeve shqiptare, si lider politik i UÇK-së, si dhe për vlerësimin që presidenti Thaçi i ka dhënë popullit hasian si mbështetës i denjë gjatë luftës së Kosovës”.

Kryetari i Bashkisë së Hasit, Adem Lala tha se organizimi u bë për të rikujtuar dhe rivlerësuar kontributin që u dha për luftën për çlirim të Kosovës.

Organizimi i sotëm në Krumë shënoi 20 vjetorin e operacionit “Shigjeta DO-2” dhe luftimet në Pashtrik.

Te fundit


Kthehu lart