Testimet diagnostike serologjike në laboratoret tona – të avansohen - Gazeta Express
string(65) "testimet-diagnostike-serologjike-ne-laboratoret-tona-te-avansohen"

Gazeta Express

04/09/2020 17:00

Testimet diagnostike serologjike në laboratoret tona – të avansohen

Gazeta Express

04/09/2020 17:00

Prof. Asoc. Dr. Ilir Q. Tolaj

Testimi për infeksionin e freskët dhe të kaluar me virusin SARS Cov 2, shkaktarin e sëmundjes Covid 19, është aktual në gjithë botën. Testet PCR dhe ato të shpejta antigjenike zbulojnë virusin e plotë (SARS Cov 2) ose pjesë të ndryshme të virusit, duke e vërtetuar kështu praninë e infeksionit të freskët. Nëse punohen mirë kanë saktësi të lartë. Ndërsa, testet serologjike zbulojnë nëse personi i caktuar e ka kaluar infeksionin. Këto teste nuk tregojnë për infeksionin e freskët. Kuptohet interpretimi i këtyre testeve gjithashtu kërkon njohuri profesionale të caktuara, në mënyrë që shpjegimi që i jepet personit që e ka bërë testin serologjik të jetë i saktë.

Lexo Edhe:

Zbulimi me kohë i rasteve të reja përmes RT-PCR dhe testeve të shpejta antigjenike që tash janë në dispozicion (këto të dytat nuk bëhen në Kosovë, edhepse janë shumë të lira), mundëson që pandemia deri diku të mbahet e kontrolluar ndërsa rastet individuale të marrin mjekim adekuat; derisa zbulimi i atyre që e kanë kaluar infeksionin pa e ditur fare, për shkak kanë pasur pak ose fare simptome, me anë të testeve të ndryshme serologjike, është me rëndësi si për individët dhe komunitetin ashtu edhe për autoritetet, sepse kështu e kemi një pasqyrë të përafërt se në çfarë mase është infektuar popullata e gjërë e një vendi.

Për rastet kur RT-PCR nuk kanë dalur të sakta, jemi të njohur të gjithë. Tek ne shkalla e testeve rrejshëm negativ duket se është shumë e lartë; nga 42 testime të sportistëve që të gjithë në IKSHP dolën negativ, me ritestim jasht Kosovës, 16 prej tyre, dmth 32% dolën pozitiv. Shifra flet vet. Dhe kjo ska të bëjë fare me “inkubacionin”. Testet PCR nuk janë të sakta vetëm kur nuk punohen mirë.

Në anën tjetër edhe testet serologjike karakterizohen me ndryshueshmëri të konsideruar në rezultatet e ofruara. Testet serologjike zbulojnë antitrupat kundër SARS Cov 2 që janë prodhuar nga sistemi imun i njeriut, e që nuk është komponenta e vetme e imunitetit të krijuar kundër virusit. Përmes këtyre testeve nuk zbulohen përgjegja e T qelizave, që është një komponentë tjetër shumë e rëndësishme imune kundër Covid 19, gjithashtu. Kështu, kur e vlerësojmë shkallën e vërtetë të njerëzve të infektuar në një vend, duhet ditur se numri real i rasteve që e kanë kaluar Covid 19, është shumë më i madh sesa që tregojnë vetëm testet serologjike duke zbuluar prezencën e antitrupave në gjak.

Kur flasim për testet serologjike, së pari është me rëndësi se çfarë testesh përdoren; aso që kërkojnë prezencën e antitrupave kundër nukleokapsidit (bërthamës) të virusit, apo aso që kërkojnë prezencën e antirtrupave kundër glikoproteinit “spike”(një pjese të mbështjellësit të virusit) . Këto të dytat janë më të ndjeshme. Fatkeqësisht në treg ka më shumë më tepër teste të llojit të parë.

Gjithashtu, është me rëndësi edhe se cfarë lloji i antitrupave kërkohet të zbulohen përmes këtyre testeve. Përmes shumicës së testeve seologjike këtu në Kosovë zbulohen vetëm antitrupat e klasës IgM dhe IgG, duke mos i hulumtuar fare ato të klasës IgA. E për rastet e lehta dhe pa simptome të Covid 19, janë mu kjo klasë e antitrupave që shfaqet si mbrojtje,

madje shpesh edhe si mbrojtje e vetme. Në një studim në Luksenburg në mesin e rreth 1900 personave të testuar u gjet se 11% prej tyre kishin antitrupa të klasës IgA e vetëm 1.9% të klasës IgG. Ky fakt tregon se testet serologjike që zbulojnë vetëm antitrupat e klasës IgG dhe IgM, mund të mos zbulojnë 6 fishin e rasteve që në të vërtetë e kanë kaluar sëmundjen Covid 19. Kjo është parë edhe në një studimet në Austri, për qytezën Ischgl me rreth 2000 banorë, ku pas testimit të 80 të të gjithë banorëve, duke hulumtuar edhe për IgA antitrupat, ka rezultuar se 42,5 % e popullatës e kanë kaluar Covid 19, shumëfish me tepër sesa që testet standarde tregonin deri atëherë. Përmes testetve serologjike që zbulojnë IgA antitrupat, në Britaninë e Madhe, në puntorët shëndetësor, janë zbuluar 15% raste që e kanë kaluar infeksionin me SARS Cov 2, e që me teste tjera kanë dalur se nuk kanë pasur kurr kontakt me te.

IgA antitrupat specific kundër SARS Cov 2 janë gjetur në pështymë, gjak, qumshtin e nënës dhe mostra tjera të marra nga personat e infektuar me këtë virus. Ato shfaqen më herët se IgM dhe IgG pas infeksionit dhe qëndrojnë për rreth 40 ditë. Janë ideale për zbulimin e rasteve që kanë simptome, por që PCR ka dalur negative, ndërsa IgM dhe IgG antitrupat nuk janë krijuar ende, apo edhe mund te mos krijohen fare.

Për këto arësye, laboratoret tona, kur bëjnë teste serologjike, duhet ti hulumtojnë edhe antitrupat e klasës IgA kundër SARS Cov 2 dhe gjithashtu gradualisht të bëjnë rifurnizime me teste serologjike që hulumtojnë antitrupat kundër “spike”glikoproteinës. Kështu, me një interpretim të pa anshëm dhe professional të këtyre të dhënavëe do të kemi një pasqyrë më të qartë se sa afër jemi imunitetit kolektiv (“të tufës”).