Testi i ri zbulon herët kancerin e pankreasit - Gazeta Express
string(45) "testi-i-ri-zbulon-heret-kancerin-e-pankreasit"

Keshilla Mjekësore

Gazeta Express

04/05/2026 19:49

Testi i ri zbulon herët kancerin e pankreasit

Keshilla Mjekësore

Gazeta Express

04/05/2026 19:49

Një test i ri inovativ, i mbështetur nga inteligjenca artificiale, mund të zbulojë kancerin e pankreasit deri në tre vite përpara diagnozës, duke ofruar shpresë për rritjen e mbijetesës në një nga format më vdekjeprurëse të sëmundjes.

Studiuesit nga Mayo Clinic kanë zhvilluar një model të quajtur REDMOD, i cili identifikon ndryshime shumë të vogla në inde që zakonisht nuk dallohen nga metodat tradicionale të imazherisë apo nga vetë radiologët.

Kanceri i pankreasit konsiderohet veçanërisht i rrezikshëm për shkak të natyrës së tij “të heshtur”. Në fazat e hershme, simptomat janë të paqarta – si dhimbje e lehtë shpine, lodhje apo probleme tretjeje – dhe shpesh neglizhohen. Si pasojë, rreth 80 për qind e rasteve diagnostikohen vetëm pasi sëmundja është përhapur, kur ndërhyrja kirurgjikale nuk është më e mundur.

Studimi, i publikuar në revistën Gut, tregoi se REDMOD arriti të zbulojë shenja të kancerit mesatarisht 475 ditë përpara diagnozës. Sistemi rezultoi më i saktë se radiologët, duke identifikuar 73 për qind të rasteve krahasuar me 39 për qind që arritën specialistët.

Sipas autorit kryesor, Ajit Goenka, sfida më e madhe ka qenë gjithmonë identifikimi i sëmundjes në fazat kur ajo është ende e trajtueshme. Ai thekson se kjo teknologji mund të dallojë shenjat e kancerit edhe kur pankreasi duket normal në pamje.

Ekspertët besojnë se kjo qasje mund të ndryshojë mënyrën se si diagnostikohet kanceri i pankreasit, duke kaluar nga zbulimi i vonshëm në ndërhyrje të hershme parandaluese. Megjithatë, kërkohen studime të mëtejshme për të konfirmuar efektivitetin e saj në përdorim klinik të gjerë.

Aktualisht, vetëm rreth 12 për qind e pacientëve mbijetojnë pesë vite pas diagnozës, çka e bën çdo përparim në zbulimin e hershëm një hap të rëndësishëm në luftën kundër kësaj sëmundjeje. /GazetaExpress/

Advertisement
Advertisement
Advertisement