Tërnava thirrje për shtensionimin e situatës në Veri - Gazeta Express
string(52) "ternava-thirrje-per-shtensionimin-e-situates-ne-veri"

Tërnava thirrje për shtensionimin e situatës në Veri

Lajme

Gazeta Express

28/06/2023 6:53

Besimtarët myslimanë në Kosovë po festojnë sot (e mërkurë) ditën e parë të Kurban Bajramit. Manifestimi qendror për këtë festë në vend u mbajt në Xhaminë e Madhe në Prishtinë prej ku u bë thirrje për paqe, siguri dhe harmoni brenda familjes dhe shtetit në përgjithësi.

Në mesazhin e tij me rastin e faljes së Kurban Bajramit, Myftiu i Kosovës, Naim ef. Tërnava, foli për sigurinë në vend, për shkak të tensioneve në komunat në veri të vendit.

Lexo Edhe:

Ai apeloi Qeverinë e Kosovës dhe bashkësinë ndërkombëtare që të angazhohen edhe më shumë në shtensionim të situatës, përmes dialogut.

Myftiu Tërnava tha po ashtu se harmonia brenda familjes është thelbi i një shoqërie të shëndoshë.

Tërnava theksoi se stabilitetin dhe funksionalitetin e një shoqërie më së shumti e kërcënojnë veprat e këqija dhe dhuna në të gjitha llojet e tyre.

Tradhtia bashkëshortore, bixhozi dhe alkooli, dhe përdorimi i substancave narkotike, sipas tij e dëmtojnë më së shumti shoqërinë.

Duke folur për rëndësinë që paqja ka në islam, Tërnava theksoi se të gjitha llojet e dhunës janë në kundërshtim me parimet fesë islame, ndërsa më e rrezikshmja është ajo brenda familjes.

Ai nuk la pa përmendur as këtë herë ikjen e të rinjve nga vendi, derisa tha se problem tjetër është edhe asimilimi i shqiptarëve.

Çështje tjetër e ngutshme me të cilën duhet të merret Qeveria e Kosovës, Tërnava tha se duhet të jetë krijimi i kushteve që të rinjtë të mos largohen nga vendi.

Në Ditën e parë të Kurban Bajramit, ai theksoi rëndësinë e vizitës në Qabe, duke thënë se është obligim për ata që kanë mundësi.

Ai tha se në vendet e shenjta sot janë 1600 qytetarë nga Kosova, të cilët iu janë bashkangjitur lutjeve ndaj Zotit, për një të ardhme sa më të mirë për të gjithë njerëzit pa dallim./KosovaPress