Tërmetet më të fuqishme që goditën Kosovën


Gazeta Express
23 Shtator 2019 13:45

Disa tërmete me pasoja jo të vogla materiale dhe me dhjetëra të lënduar kanë goditur Shqipërinë ditëve të fundit.

Madje tërmetet kanë qenë aq të fuqishme, saqë dridhjet janë dëgjuar edhe në Kosovë dhe tetë shtete të tjera.

Por ndonëse dridhjet janë ndier edhe në Kosovë, ato nuk kanë shkaktuar ndonjë dëm material.

Gjithsesi, Kosova nuk është ndonjë vend që “u ka shpëtuar” tërmeteve, përkundrazi.

Së paku kjo mund të thuhet për dekadat e fundit, për të cilat ekzistojnë disa të dhëna të tregojnë se Kosova është përballur edhe me një sërë tërmetesh të fuqishme.

Në raportin “Mikrozonimi Sizmik i Gjilanit”, i cili është hartuar nga Ministria e Zhvillimit Ekonomik, thuhet se janë shtatë tërmete më të fuqishme që e kanë goditur Kosovën.

Raporti thotë se tërmeti i 1921-së që ka ndodhur në Ferizaj dhe Viti në epiqendër kishte intensitet prej nëntë ballësh, apo 6.1 shkallë Rihter.

Tërmeti i fundit që kishte intensitet të lartë ishte ai i Istogut i ndodhur në vitin 2010, i cili kishte magnitudë momentale prej 5.2 ballësh.

“Tërmeti i Prizrenit, 16 qershor 1456 (MS=6.0; 42.200oN, 20.700oE) me intensitet në epiqendër VIII ballë (Sulstarova et al., 2005), tërmeti i Pejës, 11 nëntor 1662 (MW=6.0; 42.700oN; 20.300oE) me intensitet nw epiqendër VIII ballë (Sulstarova et al., 2005; Papazachos et al., 2000), tërmeti i Ferizajt, 26 shkurt 1755 (M=6.1; 42.500oN; 21.900oE) me intensitet në epiqendër IX ballë (Elezaj, 2002), tërmeti i Ferizaj-Vitisë, 10 gusht 1921 (ML=6.1; 42.300oN; 21.300oE) me intensitet në epiqendër IX ballë (Elezaj, 2002), tërmeti i Kopaonikut, 18 maj 1980 (MW=5.7; 43.307oN; 20.867oE) me intensitet në epiqendër VIII ballë (Harvard University, 1980; Elezaj, 2002), tërmeti i Gjilanit, 24 prill 2002 (MW=5.7; 42.440°E, 21.590°N), me intensitet në epiqendër 8 ballë (ISC 2002, Elezaj 2002) dhe tërmeti i Istogut, 10 mars 2010 (MW=5.2; 42.76344N; 20.62811E) me intensitet në epiqendër VII ballë (ISK Nazmi Hasi, Shemsi Mustafa)”, thuhet në raport, shkruan Telegrafi.

Ndryshe më 21 shtator një tërmet prej 5.8 ballësh ka goditur Tiranën dhe Durrësin, i cili, përveç dëmeve materiale ka shkaktuar edhe dhjetëra të lënduar.

Te fundit


Kthehu lart