Tentuan ta vrasin përballë berberhanes, arrestohet atentatori i ish boksierit shqiptar


Gazeta Express
15 Prill 2019 11:07

Policia ka arritur të vërë në pranga një 23 vjeçar nga Shkodra, i dyshuar si njëri ndër personat që tentuan të vrasin ish boksierin e Vllaznisë Nelson Hysa, i burgosur tashmë si pjesë e grupit Bajri.

Në vitin 2017 ndaj Hysës u krye një atentat me armë, prej të cilit ish boksieri shpëtoi vetëm me një plagosje. Policia ka njoftuar këtë të hënë se në pranga ka rënë shtetasi Valter Ksolla, banues në lagjen “Mark Lula” në Shkodër. Hysa sapo kishte dalë nga një berberane kur është qëlluar me armë zjarri disa herë nga dy persona të maskuar që udhëtonin me motor.

NJOFTIMI I PLOTË:

Shkodër

Finalizohet me sukses Operacioni policor i koduar “Gruda”

Kapet dhe ndalohet autori i dyshuar i ngjarjes së ndodhur me datë 06.05.2017, ku ka mbetur i plagosur shtetasi N. H.

Nga strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër pas një pune të mirëorganizuar, u finalizua operacioni policor “Gruda” ku u bë kapja dhe ndalimi i shtetasit në kërkim:

V.K, 23 vjeç, banues në Lagjen “Mark Lula”, Shkodër,

Ndalimi i tij u bë pasi Gjykata e Shkallës së Parë Shkodër, ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale të “Vrasjes me paramendim, e kryer në bashkëpunim” mbetur në tentative, dhe “Prodhimi e mbajtje pa leje e armëve dhe municioneve luftarake”, parashikuar nga nenet 78, 22, 25 e 278 të Kodit Penal, pasi është autor i dyshuar për ngjarjen e ndodhur me datë 06.05.2017.

Gjithashtu si rezultat i këtij operacioni u arrestuan në flagrancë shtetasit N. K., 32 vjeç dhe K. K., 25 vjeç, banues në fshatin Grudë e Re, (vëllezër) për veprat penale të “Përkrahja e autorit të krimit”, “Prodhimi e mbajtja pa leje e armeve dhe municioneve luftarake” dhe “Kanosja”, parashikuar nga nenet 302, 84 e 278 të Kodit Penal, pasi këta dy shtetas kishin strehuar në banesën e tyre shtetasin në kërkim V. K, dhe dyshohet se me datë 14.04.2019 kanë qëlluar me armë zjarri në drejtim të banesës së shtetasit L. A., 50 vjeç, banues në fshatin Gruda Re, Shkodër.

Materialet iu referuan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Shkoder për veprime të metejshme.

Te fundit


Kthehu lart