Tentoi të përfitojë statusin e veteranit për bashkëshorten, dënohet me kusht pejani


Gazeta Express
20 Nëntor 2019 12:41

I akuzuari Demë Desku, të mërkurën, është shpallur fajtor nga Gjykata Themelore në Pejë, për veprën penale të legalizimit të përmbajtjes së rreme të mbetur në tentativë.

Desku, i cili akuzohet se kishte tentuar të përfitojë për bashkëshorten e tij statusin e veteranit, është dënuar me 6 muaj burgim me kusht, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Sipas aktgjykimit të shpallur nga gjykatësi Shaqë Curri, dënimi me burg ndaj Deskut nuk do të ekzekutohet nëse i njëjti nuk kryen vepër penale brenda 1 viti.

Të njëjtit i është shqiptuar edhe dënimi plotësues, publikimi i aktgjykimit.

Aktgjykimi për këtë rast është shpallur pasi në shqyrtim fillestar, pas leximit të aktakuzës nga prokurorja Lumturije Vuqetaj, i akuzuari e ka pranuar fajësinë për veprën që i vihet në barrë.

Pranimi i fajësisë u pranua nga prokurorja Vuqetaj dhe si i tillë është aprovuar edhe nga gjykatësi Curri, me arsyetimin se është bërë në mënyrë të vullnetshme dhe në përputhje me ligjin.

Ndryshe, sipas aktakuzës të ngritur nga Prokuroria Themelore në Pejë, më 7 maj 2019, Demë Desku akuzohet se më 28 mars 2018, në Departamentin e Familjeve të Dëshmorëve dhe Veteranëve të Luftës në Pejë, ka tentuar të vërtetoj një çështje të pavërtetë, ashtu që pasi i siguron dokumentet e falsifikuara në emër të bashkëshortes së tij, të njëjtat i dorëzon për aplikim me qëllim që të përfitojë nga paga statusit të veteranit.

Ndryshe, Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD), më 8 shtator të këtij viti, ka prezantuar raportin analitik: “Drejtësia “amniston” veteranët e rrejshëm, dëmton buxhetin e Republikës së Kosovës: Analizë e aktakuzave, proceseve gjyqësore dhe aktgjykimeve në rastet e “veteranëve të rrejshëm”.

Sipas të gjeturave të këtij raporti, IKD kishte gjetur se sistemi i drejtësisë ka dështuar në mbrojtjen e buxhetit të Republikës së Kosovës në rastet e “veteranëve të rrejshëm”.

Ndërsa, si rrjedhojë IKD ka rekomanduar që me qëllim të mbrojtjes së buxhetit në trajtimin e këtyre rasteve, Prokuroria e Shtetit të bëjë propozime për shqiptimin e dënimeve plotësuese për kompensimin e dëmit të shkaktuar me përfitimet e kundërligjshme të “veteranëve mashtrues” nga buxheti i Republikës së Kosovës dhe se gjykatat e Republikës së Kosovës, edhe në mungesë të një propozimi nga Prokurori i Shtetit, kanë kompetencë ligjore që sipas detyrës zyrtare të shqiptojnë dënime plotësuese.

Te fundit


Kthehu lart