Tenderat urgjente në kohën e koronavirusit! Si mori pa garë 3 mln € kompania shqiptare - Gazeta Express
string(85) "tenderat-urgjente-ne-kohen-e-koronavirusit-si-mori-pa-gare-3-mln-e-kompania-shqiptare"

Tenderat urgjente në kohën e koronavirusit! Si mori pa garë 3 mln € kompania shqiptare

Gazeta Express

03/04/2020 18:32

Me procedura emergjente, por në mungesë të plotë transparente, Qeveria Shqiptare në mënyrë të drejtëpërdrejtë, si edhe disa institucione në varësi të saj, i kanë dhënë brenda një javë rreth 3.7 miliardë lekë pa garë kompanisë “Farma Net Albania”, për të siguruar pajisje mbrojtëse ndaj pandemisë Covid-19.

Në 21 Mars 2020, Qeveria, nëpërmjet një Vendimi të posaçëm me nr.241, miratoi kontratën me objekt “Blerje materiale për mbrojtjen personale për COVID-19”, ndërmjet Ministrisë së Shëndetësisë dhe bashkimin e operatorëve, shoqëria “Farma Net Albania”, dhe “Euromed”, sh.p.k., me vlerë 346 105 800 të reja (3.46 miliardë lekë të vjetra).

Lexo Edhe:

3.46 miliardë lekë pa transparencë

Procedura për këtë tender nuk ishte shpallur publikisht dhe nuk dihet se kush mund të kishte dijeni, përveç Ministrisë së Shëndetësisë dhe kompanive fituese.

Miratimi i kontratës është realizuar nga Qeveria Shqiptare, duke e konsideruar si reagim në kushtet e emergjencës ekstreme, pas përhapjes së epidemisë së Covid-19 në vendin tonë.

Ligji për “Prokurimet Publike” dhe Aktet Normative të nxjerra nga Qeveria së fundmi kufizojnë procedurat e tenderave që lidhen me masat për masat e përballimit të pandemisë.

Megjithatë, legjislacioni shqiptar parashikon që, në çdo rast, nuk mund të cënohet transparenca e përdorimit të fondeve publike.

Parimi i transparencës është shkelur plotësisht nga qeveria shqiptare, e cila nuk ka publikuar asnjë të dhënë se përse u përzgjodh “Farma Net Albania”.

Po ashtu, nuk ka asnjë dokument zyrtar publik, në të cilin të qartësohen se cila është sasia dhe lloji i mallit të porositur nga Qeveria Shqiptare, si edhe afati kohor se kur duhet dorëzuar malli.

Përpjekjeve publike për të siguruar transparencë në shpenzimet e buxhetit dhe sidomos kritikave për mundësinë e abuzimeve nga autoritetet shtetërore, kryeministri Edi Rama u kundërvihet me fjalime emocionale mbi nevojat e përballimit të epidemisë, duke shmangur llogaridhënien për faktet konkrete.

Edhe në rastin konkret, kryeministri Edi Rama dhe Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu, e kanë konsideruar të panevojshme të tregohen transparentë për kontratën me “Farma Net Albani” dhe “Euromed”.

“Farma Net”, 100 mijë euro nga OSHEE

Nga ana tjetër, të dhëna zyrtare dëshmojnë se, me të njëjtën sjellje jo-transparente të organeve shtetërore, kompania “Farma Net Albania” ka përfituar edhe rreth 250 milionë lekë (të vjetra) vetëm gjatë ditëve të fundit, për furnizimin me mjete mbrojtëse për “Covid-19”.

Në datë 24 Mars 2020, pra vetëm 3 ditë pas kishte firmosur kontratën me Ministrinë e Shëndetësisë, kompania “Farma Net Albania” fiton një tjetër tender, pa garë, në vlerë rreth 100 mijë euro nga Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike (OSHEE).

Në Buletinin e Prokurimeve Publike të datës 24 Mars 2020 është publikuar njoftimi i OSHEE, në të cilën është shpallur fitues “Farma Net Albania” në një procedurë tenderi me “negociim paraprak pa shpallje”, të hapur vetëm një ditë më parë, në datë 23 Mars.

Në këtë tender, OSHEE njofton se ka ftuar për të qenë pjesëmarrës në tender kompaninë “Farma Net Albania” dhe ‘Euromed”, saktësisht, dy kompanitë të cilat u shpallën fitues të kontraës me Ministrinë e Shëndetësisë.

Por, ndryshe nga Ministria e Shëndetësisë, OSHEE vendosi të skualifikonte kompaninë ‘Euromed”, pasi nuk plotësonte disa kritere.

Ky moment ngre disa pikëpyetje mbi cilësinë e vlerësimit të kompanisë “Euromed”. Qeveria shqiptare, vetëm tre ditë më parë, e kishte vlerësuar ‘Euromed” si kompani që plotësonte kriteret.

Ndërsa, OSHEE, tre ditë më pas, e skualifikon për mos-plotësim kriteresh, ndërkohë që objekti ishte i njëjtë-blerje dorezash dhe maskash për mbrojtjen e personelit.

Gjithësesi, në përfundim të tenderit të mbyllur 1-ditor, OSHEE shpall fitues kompaninë “Farma Net Albania”, e cila arkëton edhe 100 mijë euro të tjera, krahas atyre të Ministrisë së Shëndetësisë.

Posta e Laert Duraj, 100 mijë euro për “Farma Net”

Një ditë më pas, në 25 Mars 2020, “Farma Net” shpallet fituese e një tjetër tenderi pa garë, zhvilluar nga Posta Shqiptare, me vlerë rreth 100 mijë euro.

Agjencia e Prokurimve ka publikuar njoftimin e “Posta Shqiptare” sh.,a, të drejtuar nga Laert Duraj, se kompania “Farma Net Albania” është shpallur fituese e tenderi “me negociim, pa shpallje paraprake”, për blerje pajisjesh mbrojtëse nga Covid-19 për stafin e saj.

Sipas të dhënave zyrtare, në këtë tender ka marrë pjesë vetëm “Farma Net Albania”.

Kërkesa për maska dhe pajisje mbrojtëse, sidomos për stafin e teknikëve të OSHEE-së dhe Postës, është një domosdoshmëri prioritare në këtë periudhë pandemie.

Megjithatë, nevoja për marrjen e masave mbrojtëse, e shoqëruar me mungesë thuajse të plotë transparencë për shpenzimet buxhetore, ngre pikëpyetje mbi titullarët e institucioneve që zhvillojnë procedurat e prokurimit publik.

Vetëm në një javë, “Farma Net Albania” ka përfituar rreth 3.5 milionë euro pa garë dhe pa transparencë, duke forcuar dyshimet se ndarja e parave publike, edhe në kohë krize, ndjek një trend të paracaktuar.

“Farma Net Albania”, referuar të dhënave të “opendata”, nuk duket se hyn në kompanitë me aktivitet të zgjeruar me institucionet publike.

Por, përfitimet e javës së fundit, duket se i kanë dhënë mundësinë drejtuesve të saj që të sigurojnë një lloj reklame publike.

Në një emision të pak ditëve më parë, kompania “Farma Net Albania” njoftoi se do të dhuronte 500 mijë lekë (të reja) për familjet në nevojë, diku tek 3 mijë euro.

Natyrisht, një kompani që ka përfituar, vetëm në një javë, 3.5 milionë euro taksa publike, i ka mundësitë që të dhurojë 3 mijë euro, ose 1 të njëmijtën e tyre./boldnews