Të zhdehet LDK


Gazeta Express
11 Nëntor 2019 9:27

Intervista e zonjës Osmani vërtetoi dyshimet për pamundësinë e saj për të marrë vendime pa „dekretet“ e Mustafës dhe Hazirit. Këtë e dëshmoi në T7 kur deklaroi se LDK, duhet të ketë më shumë ministra se VV, kryetarin e Kuvendit dhe Kryetarin e shtetit.

Lis Bukuroca

Ky mendim nuk mund të jetë i zonjës Vjosa Osmani, sepse nuk është i drejtë, nuk është serioz, nuk është objektiv, por i atyre të përmendur më lartë. Nëpërmjet Vjosa Osmanit, ata dy dëshirojnë të fitojnë dhe në mënyrë subtile, t’i hakmerren Albinit: ta zvogëlojnë atë dhe ta defaktorizojnë.

Zonja Osmani deklaroi se pozita e Kryeministrit, ka peshë më të madhe, edhe atë, sa katër ministra, apo edhe më shumë. Nuk ka peshë më të madhe, por përgjegjësi drejtuese dhe autorizime për ta bërë. Nëse paska peshë, atëherë në botën demokratike, kilogramët e një pozite maten me votat e qytetarëve, që LDK nuk i ka. Këtu përfundon diskutimi rreth pozitës së Kryeministrit, nëse nuk synohet kopjimi i PAN-i dhe Ramushit.

Nëse ngulni këmbë, atëherë do të pamundësoni një koalicion, të cilin e urdhëroi qytetari. Nga intervista e Vjosa Osmanit mund të lexohet synimi i LDK-së për t’i fituar zgjedhjet në tryezë. Domethënë të ketë vendin e dytë në zgjedhje, por të parin në Qeveri.

Votuesi i LDK-së fuqizoi Vjosa Osmanin dhe deklasoi Lutfi Hazirin në Gjilan, ku ai urdhëroi që kryefjala të jetë Vjosa, jo Luta e Mustafa. Votuesi ka mbështetur Vjosa Osmanin, jo Isa Mustafën, jo Hazirin. Ata mund të këshillohen, por jo të caktojnë direktiva ku zonja Osmani duhet të bazohet. Numri i votave flet për meritat e kandidatit të votuar, për besimin e qytetarit, jo për besimin e shprehur ndaj kryesisë së LDK-së.

Meqenëse Albin Kurti ka fituar, atëherë pozita e Kryeministri nuk ka pse të kalojë nëpër zyrat e Lutfi Hazirit, sepse ai post, iu dha Albinit nga qytetarët e Kosovës dhe Luta mund të pajtohet, të shpurthë, të çaraveshet, por rezultati flet një gjuhë konkrete dhe nuk len mëdyshje.

Në intervistën e T7,  zonja Osmani përpiqej të dukej e pavarur në ndërtimin politikave, por mbronte me këmbëngulje konceptet e Mustafës dhe Hazirit. Qytetari nuk ka votuar një intelektuale të re, që zbaton idetë e politikës së vjetër, sepse për gjendjen e krijuar, mban përgjegjësi pikërisht edhe ai kryetar, kundër të cilit ka qenë vetë zonja Osmani disa herë.

Partia nuk mund të udhëhiqet me tri koka. Votuesi ka ngarkuar me përgjegjësi zonjën Osmani, por kryesia e LDK-së, ka probleme me një grua intelektuale në krye dhe prepotenca mashkullore, shfaqet sa herë duan patriarkët të shembin autoritetin e saj. Zonja Osmani u dëmtua me vota nga kjo droje (e mungesës së autonomisë vetjake) dhe po dëmtohet tutje nga dy despotët e partisë.

Qytetari i Kosovës veshi me përgjegjësi Albin Kurtin dhe Vjosa Osmanin, brezin e ri dhe të pakorruptuar duke refuzuar gardën e vjetër. Në të vjetrën bëjnë pjesë edhe Mustafa, edhe Haziri.

Nëse vazhdohet me ato ide siç u thanë në intervistë, atëherë LDK është kundër vullnetit të votuesve dhe për koalicion me PDK-në, ose për zgjedhje të reja. Nëse bëhet për interesa të Kosovës, atëherë ministra duhet të zgjidhen ata që kanë dije më shumë, por jo LDK të ketë 8 e VV katër.  Nëse keni kuptuar interesat e Kosovës dhe gjendjen serioze, atëherë më të mirë se Veton Surroin për Ministër të Jashtëm, nuk keni. As në Kosovë, e sigurisht as në Ballkan e jashtë tij.

Nuk duhet harruar se Qeveria e ardhshme duhet të luftojë në disa fronte, brenda dhe jashtë. Kundër krimit e korrupsionit brenda, kundër imazhit përtokë jashtë. Kundër kleptokracisë brenda dhe kundër agresionit serb jashtë. Kundër shteti injorant brenda dhe injorancës që përhapi ai shtet jashtë. Kosova duhet të rindërtojë shtetin nga themelet, sepse deri tani, kemi vetëm shtet të improvizuar. Ky synim, përjashton ndikimin e gardave të vjetra, sepse ata vetë kanë përfituar nga mosekzistenca reale e shtetit ligjor.

Te fundit


Kthehu lart