Kreu i Bashkisë së Bulqizës, Lefter Alla nuk ka konsumuar kokainë. Ky është rezultati i analizave të Lefter Allës, i cili u akuza nëpërmjet një videoje se konsumonte lëndë narkotike (kokainë). Burime për Dosja.al pranë laboratorit të Policisë Shkencore bëjnë me dije se analiza për praninë e drogës në urinën dhe gjakun e Lefter Allës rezultoi negative. Avokati i tij Petrit Ismaili pritet t’i drejtohet SPAK brenda javës për pushim të hetimeve.
Pak javë më parë gazetari investigativ Artan Hoxha publikoi një video, ku sipas tij kryebashkiaku i Bulqizës, Lefter Alla shfaqej duke konsumuar ‘kokainë. Pas publikimit të pamjeve, erdhi një reagim i menjëhershëm nga Alla, i cili e cilësoi videon si montazh duke pretenduar se i është bërë edhe presion nga grupet kriminale, që sipas tij veprojnë në Bulqizë për interesa biznesi. Ai deklaroi se do të padisë për shpifje ish-deputetin Ervin Salianji, ndërsa akuzoi Partinë Demokratike se bashkë me një televizion lokal kanë montuar videon. Ndërkohë PD kërkoi largimin e tij. Për këtë çështje nisi hetimet edhe Prokuroria e Posaçme Anti-Korrupsion. Në SPAK, Alla deklaroi se nuk e kujtonte dot se ku ka qenë në periudhën në të cilën është regjistruar videoja, dhe se kur ka qenë në atë lokal.