“Të shpallet nul dekreti i Presidentit!” Çfarë pritet të ndodhë në seancën e jashtëzakonshme në kuvend


Gazeta Express
15 Nëntor 2019 8:12

Këtë të premte parlamenti do të mblidhet rreth orës 10:00 për të vendosur me votë mbi një rezolutë të përpiluar tashmë nga socialistët, ku në thelb i kërkohet institucioneve të zbatimit të ligjit që të mos njohin dekretin e Presidentit Ilir Meta në lidhje me zgjedhjen e njërës prej anëtareve të Gjykatës Kushtetuese.

Në rezolutën tashmë të bërë publike, socialistët kërkojnë që dekreti i Metës për emërimin e Marsida Xhaferllarit jo vetëm të mos merret në konsideratë (të shpallet nul), por edhe të përdoret si një ‘provë’ nga komisioni hetimor i ngritur prej tyre për shkarkimin e Presidentit.

“Kuvendi i Shqipërisë i bën thirrje Gjykatës Kushtetuese dhe të gjitha organeve publike që ngarkohen nga ligji me detyra në kuadër të funskionimit të Gjykatës Kushtetuese të zbatojnë me përgjegjshmëri dhe përgjegjësi detyrat e tyre dhe të mos zbatojnë Dekretin e Presidentit nr.11350, datë 13.11.2019.

Kuvendi i Shqipërisë i kërkon Komisionit hetimor për shqyrtimin e kërkesës së 55 deputetëve të Kuvendit pë shkarkimin e Presidentit të Republikëstë përmbyllë punën e tij brenda afatit të caktuar  në vendimin e Kuvenditdatë 03.10.2019 dhe të marrë në konsideratë gjatë punës së tij edhe këtë situatë të krijuar nga Presidenti në lidhje me emërimin e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese.

Kuvendi i Shqipërisë i bën thirrje Presidentit të Republikës të heqë dorë nga tentativat dhe aktet që bllokojnë zbatimin e Reformës në Drejtësi dhe funksionimin normal të organeve kushtetuese ku një prej më të rëndësishmeve është Gjykata Kushtetuese.”-shkruhet në rezolutën që pritet të votojnë socialistët në parlament.

Në lidhje me këto akuza, Presidenti Meta ka folur mbrëmjen e djeshme në emisionin Opinion, nga ku ka deklaruar se i bëjnë “nder” me të gjitha ‘akuzat’ që i mveshin. Sipas Metës është e qartë për çdo qytetar se çfarë është në realitet kuvendi i sotëm.

Ilir Meta: Më bëjnë nder të madh me gjithë këto shkelje që po më ngarkojnë, unë të gjitha veprimet i kam bërë para qytetarëve shqiptar. Të gjithë e dinë sot se çfarë përfaqëson sot kuvendi i Shqipërisë.

Çfarë përfaqëson Kuvendi?

Ilir Meta: Përfaqëson kulmin se si nuk duhet të jetë një institucion që duhet të mbrojë interesat e qytetarëve shqiptar.

Është i njëjti Kuvend që ju zgjodhi juve president në mungesë të opozitës dhe vetëm me votat e të majtës.

Ilir Meta: Ka dhunuar Kushtetutën dhe qëllimisht e ka lënë Shqipërinë pa Gjykatë Kushtetuese që bllokoi KED e parë në 2017 dhe që bllokoi KED në 2018, pse? Sepse nuk i pëlqenin emrat nga shorti nga ligji që kishte bërë vetë, por donte të vinte Dvorani në krye të KED për të bërë veprime mafioze.

Kujtojmë se përplasja mes Metës dhe shumicës qeverisëse kulmoi në momentin kur Presidenti vendosi të dekretojë emrin e Marsida Xhaferllarit si anëtare e Kushtetueses, në një kohë kur parlamenti i qëndroi linjës se Meta kishte kaluar afatin kushtetues dhe emri i Arta Vorpsit automatikisht do të zgjidhje si anëtare e Gjykatës më të lartë të vendit. Pikënisja e përplasjes gjendet tek listat e përcjella nga KED dhe kryetari i saj Dvorani, i akuzuar së fundmi si një eksponent që ka punuar në favor të interesave të kryeministrit me qëllim kapjen politike të Kushtetuses

Te fundit


Kthehu lart