Të mbesim në planet tona, jo në listën e pengesave


Gazeta Express
30 Maj 2019 11:26

Në asnjë formë dhe në asnjë rrethanë, Kosova nuk është në status-kuo. Shtetësia e Kosovës po konsolidohet me vendime e hapa të sigurt

Burim Ramadani

Kosova e ka jetike të mbetet në zhvillimin e planeve të veta. Jo të sillet e pshtillet në listën e pengesave që ka përpara.

Kjo ka qenë dhe mbetet rruga që po ndjekim në përgjithësi, derisa jo rrallëherë ballafaqohemi me përsëritësit e listës së pengesave, që shpeshherë në tone krejtësisht pesimiste përshkruajnë një lloj varësie të Kosovës nga situata të tilla. Dorën në zemër, shtetet (sikuse individët) që e lidhin të ardhmen e vet përmes varësisë ndaj pengesave nuk është se arrijnë t’i kalojnë ato në formën më të mirë.

Kështu, argumenti bazik është ky: Kosova duhet të mbetet në planet e veta. T’i avancojë ato thelbësisht dhe ta argumentojë rrugën e ndjekur deri më tash.

Në asnjë formë dhe në asnjë rrethanë, Kosova nuk është në status-kuo. Shtetësia e Kosovës po konsolidohet me vendime e hapa të sigurt.

Tashmë, konsolidimi i Arkiktekturës së Sigurisë Kombëtare, si shembull konkret, është avancuar në nivele të qarta dhe të sakta. Partneriteti për politikat e sigurisë dhe të mbrojtjes është zhvilluar në nivele të shteteve të përgjegjshme në rendin global. Roli i Kosovës në siguri e mbrojtje ka hapur një kapitull të ri të kontributit. Planet tona janë që Kosova të jetë kontribuese për paqe e siguri në zona të ndryshme të botës. Krah për krah me shtetet demokratike, qoftë në dimensionet e organizatave rajonale, qoftë në dimensionet e koalicioneve globale, qoftë në dimensionet e partneriteteve bilaterale. Porse, kjo tashmë ka arritur një shkallë serioze të zhvillimeve.

Kosova është e përkushtuar për paqe, siguri, stabilitet dhe bashkëpunim me të gjithë. Si një vend që ka vuajtur tragjeditë e luftës, ne jemi të bindur se paqja e përhershme arrihet me anëtarësimin e secilit shtet të rajonit në NATO.

Kështu, Kosova ka qenë dhe do të jetë vend partner i besueshëm i NATO-s, duke punuar në të njëjtën kohë për t’u bërë anëtare e NATO-s. Në këtë kontekst, Kosova ka ndërmarrë hapat inicialë për të qartësuar pozicionin e vet dhe për të nisur gradualisht rrugën drejt integrimeve euro-atlantike.

Anëtarësimi në NATO është edhe qëllim shtetëror i Kosovës, edhe aspiratë popullore. Duke u nisur nga kjo, Qeveria e Kosovës ka institucionalizuar aspiratën popullore, duke themeluar Komitetin Ndër-Ministror për Anëtarësim dhe Integrim në NATO, duke planifikuar rritjen e prezencës së Kosovës në Bruksel, dhe duke kaluar përmes një Kornize të Komunikimit Strategjik të institucioneve.

Planet e Kosovës janë ambicioze në raport me NATO-n. Të njëjtën kohë, e kuptojmë procesin e integrimit në NATO, e kuptojmë rrugën përpara. Kosova është kontribuese e sigurisë. Synon të jetë kontribuese për sigurinë kudo nëpër botë, në bazë të kapaciteteve të veta. Në Strategjinë e Sigurisë së Kosovës – e cila mund të të miratohet në periudhën e afërt – partneriteti strategjik me SHBA-në, anëtarësimi në NATO dhe gatishmëria e Kosovës për kontribut për paqe në zona të ndryshme të botës është një prej 4 qëllimeve kryesore shtetërore.

E vërteta e Kosovës është kjo: Kosova ka marrë mbështetje për paqe që 20 vjet. Tash, është koha kur çdo kund në botë mund të dëshmohet se si një vend i vogël – që është ndihmuar të jetojë në paqe – mund të ndihmojë popujt tjerë të gëzojnë paqen. Ky është tregim i përbashkët i suksesit. Tregim i Kosovës dhe aleatëve perëndimorë. Prandaj, në përgjithësi dhe në detajet e nevojshme, synimet edhe në fushat tjera, sikurse kjo në siguri e mbrojtje, duhet të orientohet plotësisht në planet afatgjata. Asgjë nuk ndryshon nëse theksojmë e ritheksojmë listën e pengesave.

Te fundit


Kthehu lart