Të gjithë e ëndërrojnë, por ky mësues amerikan la vendlindjen për të jetuar në një fshat të Beratit


Gazeta Express
15 Qershor 2019 16:11

Prej tre muajsh, gjuha angleze është bërë lënda më e dashur për nxënësit e shkollës së fshatit Roshnik në berat. Atë ua jep Xherri, mësuesi nga shtetet e bashkuara të Amerikës.

Në fakt nuk është vetëm xherri ai që u mëson nxënësve. Edhe ata i japin diçka në këmbim, i mësojnë atij shqipen.

Xherri jeton në një bujtinë në kodrat rrëzë Tomorrit dhe thotë se përveç natyrës i pëlqejnë edhe vendasit sepse janë njerëz të dashur dhe punëtorë.

Që tani 65-vjeçari nga Ohaio përshëndetet me çdokënd në rrugët e fshatit kur shkon në shkollë në mëngjes.

Xherri që kishte lexuar shumë informacione për zonën në internet ndihet ende turist. Nuk merr rroge për punën që bën dhe parapëlqen që drekën ta shijojë nga ushqimet tradicionale të zonës.

Luan shah me miqtë e rinj dhe ecën gjatë deri në fshatrat fqinjë apo shkon në kantinat e verës dhe i pëlqen të vjelë produktet e zonës.

“Më pëlqen ky fshat i vogël. Në fillim e pata të vështirë por shumë shpejt u ndjeva si në familje. Tani banorët sillen me mua sikur të jem vendas. E kam për nder të jem këtu e të ndihmoj njerëzit”, tha Jerry Mays, mësues.

Fshati është një vend i bukur jo thjesht për t’u vizituar, por edhe për të jetuar. Ky është mesazhi që xherri ua përcjell miqve të tij të cilët i fton të vijnë në Shqipëri.

Te fundit


Kthehu lart