Të gjitha rastet kur ‘u liberalizuan’ vizat për Kosovën - Gazeta Express
string(53) "te-gjitha-rastet-kur-u-liberalizuan-vizat-per-kosoven"

Të gjitha rastet kur ‘u liberalizuan’ vizat për Kosovën

Lajme

Gazeta Express

24/06/2022 22:57

Gazetar: Unitet Berisha

Që nga viti 2010 kur ish-kryeministri Hashim Thaçi thoshte se liberalizimi i vizave do të ndodhte brenda 15 muajsh nuk kanë reshtur premtimet nga Bashkimi Evropian dhe premtimet nga partitë në pushtet, janë organizuar edhe protesta por kosovarët mbeten ende të vetmit me viza në Evropë

Lexo Edhe:

Ishte viti 2010 kur në Kosovë u dhanë premtimet e para për heqjen e vizave.

Kryeministri në dorëheqje në atë kohë, Hashim Thaçi, premtonte se liberalizimi për qytetarët e Kosovës do të ndodhte brenda një afati prej 15 muajsh. Edhe pse zyrtarët e BE-së thoshin se Brukseli nuk ka një afat të caktuar kohor se kur mund të ndodh një gjë e tillë.

Jo për 15 muaj, por 6 vjet më vonë, për Thaçin liberalizimi ndodhi.

Nëpërmjet një video mesazhi, më 4 maj 2016 ai uroi qytetarët e Kosovës.

Në të njëjtën ditë, për heqjen e vizave uroi edhe kryeministri i asaj kohe Isa Mustafa.

Qysh atë vit, Qeveria e Kosovës thoshte se ka përmbushur kriteret.

Megjithatë, ndonëse jo zyrtarisht, si kusht Kosovës nga BE iu vu ratifikimi i marrëveshjes për demarkacionin me Malin e Zi.

Opozita e asaj kohe nisi kundërshtimin e demarkacionit me protesta të dhunshme.

Dy vjet më vonë demarkacioni kaloi, kurse ata që premtuan liberalizim përgëzuan kosovarët.

Federica Mogherini tha se rruga u hap.

Ramush Haradinaj u bë kryeministri i tretë me radhë që uroi heqjen e vizave, në vitin 2018. Sipas tij, liberalizimi kishte ndodhur tashmë.

Për mosliberalizm të vizave i ishte kërkuar dorëheqja ish-kryeministrit Haradinaj, sikurse edhe ish-presidentit Thaçi.

Opozita e atëhershme, Lëvizja Vetëvendosje, konsideronte se faji pse nuk jepej liberalizimi qëndronte tek pushteti vendor, e jo tek BE-ja.

Ndërkohë që pushteti i sotëm nga opozita akuzohet që ka vonuar liberalizimin e vizave, për shkak të bllokimit që i kishte bërë ratifikimit të demarkacionit me Malin e Zi.