Talleshin me Policinë e Kosovës: Historiku i tre personave të rrezikshëm dhe arrestimi i tyre pas disa muajsh kërkimi


Gazeta Express
12 Korrik 2019 7:11

Dje u arrestua edhe i kërkuari i fundit në mesin e tre personave të dyshuar për disa grabitje në Kosovë. Ridvan Ademi, nga fshati Dobratin i Komunës së Podujevës, u arrestua në shtetin e Belgjikës, pas më shumë se një viti kërkim.

Ai së bashku me Leutrim Ajetin dhe Kastriot Shalën, përveç dyshimit mbi ta për disa grabitje të armatosura në Kosovë, Policia e vendit i kishte cilësuar si persona me rrezikshmëri shumë të lartë.

Arrestimi i Ridvan Ademit u bë në Belgjikë, teksa zëdhënësi i Policisë, Daut Hoxha, ka thënë se arrestimi i tij u bë në bashkëpunim mes autoriteteve kosovare dhe atyre belge.

“Pas një bashkëpunimi profesional ndërmjet Policisë së Kosovës dhe autoriteteve belge në Belgjikë është arrestuar një person i dyshuar, ku të njëjtit i janë gjetur në posedim dokument identifikimi të një shteti tjetër, prandaj në bashkëpunim aktiv me autoritetet atje jemi në proces te verifikimit të të gjitha rrethanave përfshirë edhe ekzaminimet e nevojshëm për përcaktimin e identitetit të saktë konform procedurave ligjore”, ka thënë Hoxha.

Më 9 maj të këtij viti, ishte arrestuar edhe Kastriot Shala. Ai u arrestua në një pasdite në fshatin Hajvali të Prishtinës, teksa në brezin e tij i ishte zënë edhe një armë.

Kurse, i shumëkërkuari tjetër, Leutrim Latifi, ishte i pari nga këta të tre që mbeti i arrestuar. Ai u prangos në shkurt të këtij viti në Mal të Zi.

Por, Leutrim Latifi u ekstradua në Kosovë tek më 24 maj dhe lajmin për dorëzimin e tij nga autoritetet malazeze tek ato kosovare e kishte dhënë Ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri.

Shala, bashkë me Latifin e Ademin, kërkoheshin që nga tetori i vitit të shkuar për disa raste të grabitjeve.

Edhe pse ishin në arrati, Shala bashkë me Leutrim Latifin përmes Facebook-ut kishin bërë shaka me kërkesën për arrestimin e tyre. Madje kishin pasur edhe video-live nga Spanja, siç thoshin ata.

Policia pati ofruar shpërblim prej 5000 eurosh për ata që ofrojnë ndihmë për vendndodhjen e tre të dyshuarve për grabitje, Kastriot Shala, Leutrim Latifi dhe Ridvan Ademi.

Tre të sipërpërmendurit dyshohet se kanë kryer grabitje të armatosura në banka, kazino e në qendra tregtare në vend.

Te fundit


Kthehu lart