Taksë e re për veturat në qendër të Londrës


Gazeta Express
8 Prill 2019 18:56

Drejtuesit e makinave të vjetra dhe të atyre që ndotin duhet tashmë të paguajnë një taksë të re nëse duan të lëvizin në qendër të Londrës.

Drejtuesit e makinave me benzinë, të prodhuara përpara 2006 dhe makinat diezel me vit prodhimi përpara 2015 duhet të paguajnë 12,50 stërlina (14,50 euro) në ditë për të hyrë në këtë zonë.

Për kamionët dhe furgonët duhen 100 stërlina (116 euro) në ditë, përcjell Atsh. Taksitë përjashtohen nga kjo taksë.

”Kjo masë synon uljen e emetimeve të dëmshme dhe pasjen e një ajri me një cilësi më të mirë dhe më të shëndetshme për miliona persona në Londër’’, shkruante në një postim në Twitter, Sadiq Khan, kryebashkiaku laburist i kryeqytetit britanik, një nga qytetet me nivelin më të lartë të ndotjes në Europë.

Sipas kryebashkiakut të Londrës, mijëra londinezë vdesin çdo vit në  mënyrë të parakohshme për shkak të ekspozimit afatgjatë në një ambient me ajër të ndotur, ndërsa banorët e kryeqytetit po jetojnë në një zonë ku janë tejkaluar rekomandimet e Organizatës Botërore të Shëndetësisë në lidhje me grimcat e dëmshme të ajrit nga më të rrezikshmet.

Te fundit


Kthehu lart