Takimi i Lajçak me Albares, Spanja: Kosovën s'e njohim, kemi qasje konstruktive për dialogun - Gazeta Express
string(88) "takimi-i-lajcak-me-albarez-spanja-kosoven-se-njohim-kemi-qasje-konstruktive-per-dailogun"

Takimi i Lajçak me Albares, Spanja: Kosovën s’e njohim, kemi qasje konstruktive për dialogun

Lajme

Gazeta Express

27/01/2023 15:02

Emisari i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak pas vizitës që kishte zhvilluar në Prishtinë dhe Beograd i shoqëruar nga Escobar dhe këshilltarët e Scholz, Macron dhe Melonit, kishte vazhduar aktivitetin e tij diplomatik duke takuar përfaqësuesit e shteteve anëtare të BE-së që vazhdojnë të mos e njohin pavarësinë e Republikës së Kosovës.

Shkruan: Besnik Velija

Lexo Edhe:

Më 23 janar, Lajçak ka bërë të ditur se është takuar me kreun e diplomacisë spanjolle, Jose Manuel Albares, me të cilin kanë diskutuar për dialogun Kosovë-Serbi dhe për përpjekjet e BE-së sa i përket arritjes së një marrëveshjeje.

Por a ka kërkuar Lajçak që Spanja të ndërrojë qëndrim sa i përket pavarësisë së Kosovës. Lidhur me këtë në një përgjigje ekskluzive për Gazetën Express kanë folur nga Ministria e Punëve të Jashtme të Spanjës.

Zëdhënësja e MPJ-së së Spanjës, Elena Aljarilla Cortezón, në përgjigjen për Gazetën Express ka thënë se në këtë takim Lajçak e ka informuar kryediplomatin spanjoll me përpjekjet e BE-së për dialogun dhe për de-eskalimin e situatës.

Cortezon ka thënë se si gjithmonë, Spanja ka treguar përkrahje dhe ka përcjellë qasje konstruktive drejt një zgjidhje që do të ishte e pranueshme për të dyja palët.

 “Në takim, Përfaqësuesi Special e informoi ministrin Albares për përpjekjet e tij për të promovuar dialogun Beograd-Prishtinë dhe për të de-përshkallëzuar tensionet. Si gjithmonë, Spanja tregoi mbështetje për punën e Përfaqësuesit Special dhe përcolli një qëndrim konstruktiv drejt një zgjidhjeje të pranueshme reciprokisht”, ka thënë Elena Aljarilla Cortezon për Gazetën Express.

Megjithatë ajo ka theksuar se Spanja si disa shtete të tjera të BE-së nuk e ka ndryshuar pozicionin e saj sa i përket pavarësisë së Kosovës derisa potencon se Spanja konsideron se dialogu është rruga e vetme përpara drejt gjetjes së një zgjidhjeje afatgjate.

“Spanja, ashtu si shtetet e tjera të BE-së, nuk e ka ndryshuar qëndrimin e saj të mosnjohjes për Kosovën dhe e konsideron dialogun Beograd-Prishtinë si të vetmen rrugë të mundshme për të arritur një zgjidhje të qëndrueshme të mosmarrëveshjes për territorin”, ka përfunduar ajo për Gazetën Express.

Lajçak përveç kryediplomatit spanjoll, ka takuar edhe atë të Sllovakisë, Qipros dhe emisaren e Greqisë për Ballkanin Perëndimor. Gjatë muajit janar BE, Washingtoni, Berlini dhe Parisi kanë shtuar aktivitetet e tyre me qëllim të arritjes së një marrëveshje në mes të Kosovës dhe Serbisë.

Aktualisht në tavolinën e Kurtit dhe Vuçiqit është propozimi franko-gjerman, për të cilin Beogradi është deklaruar se e ka pranuar, ndërkohë Washingtoni i ka bërë thirrje edhe kryeministrit Kurti që ta bëjë një gjë të tillë.

Pika problematike vazhdon të jetë Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe, meqë SHBA-ja dhe BE-ja inistojnë se Kosova duhet ta themelojë ndërkohë s’ka ende një qëndrim të qartë të Qeverisë së Kosovë për këtë çështje ani pse Lajçak pas takimit të fundit me Kuritn kishte deklaruar se “jemi pajtuar” se të gjitha marrëveshjet duhen zbatuar./GazetaExpress/