Tahiri shpërthen në akuza: Ka politikanë që kanë vrarë njerëz, sot janë në majë


Gazeta Express
10 Shtator 2019 17:49

Ish-ministri i Punëve të Brendshme Saimir Tahiri la Gjykatën për Krime të Rënda rreth orës 16:30, ku kishte mbërritur prej mëngjesit (në 09:00). Aty, Tahiri u njoh me pretencën e Prokurorisë, që kërkoi dënimin e tij me 12 vite burg, që në rast dënimi konvertohen në 8 vjet për shkak të gjykimit të shkurtuar (ulje me 1/3), për tre vepra të rënda penale “Korrupsion të zyrtarëve të lartë”, “Trafik të lëndëve narkotike kryer në bashkëpunim” dhe “Grup të strukturuar kriminal”, në kuadër të dosjes ‘Habilaj’.

Në një seancë të gjatë, menjëherë pas shpalosjes së argumenteve të tre prokurorëve  Arenc Çela, Dritan Prençi dhe Vladimir Mara, Saimir Tahiri për më shumë se dy orë, mbrojti veten me një tabelë, skica e fakte të shkruara në të. E quajti një proces të montuar e të pabazuar në prova dhe kërkoi pafajësi. Në mungesë u bë edhe mbrojtja e ish-drejtorit të Policisë së Vlorës Jaeld Çela, ndërsa pritet që vendimi përfundimtar i Gjykatës të jepet më 19 shtator.

I pyetur se cila do të jetë e ardhmja politike, ish-ministri Tahiri tha se nuk e ka menduar ende, por nuk e ka mohuar se një ditë do të rikthehet në politikë, teksa nuk ka kursyer akuza të forta për ish-kolegë të tij, por pa përmendur emra.

“Praktika ka treguar që sot i ke në majën e politikës ata që kanë pasur akuza për vrasje njerëzish, dhe sot janë në maja. Unë nuk po mendoj për këtë po mendoj për drejtësinë time”, përfundoi deklaratën e tij, Tahiri.

Te fundit


Kthehu lart