Sveçla garanton reciprocitet nga 1 shtatori në një intervistë për mediumin maqedonas - Gazeta Express
string(84) "svecla-garanton-reciprocitet-nga-1-shtatori-ne-nje-interviste-per-mediumin-maqedonas"

Gazeta Express

26/08/2022 19:35

Sveçla garanton reciprocitet nga 1 shtatori në një intervistë për mediumin maqedonas

Gazeta Express

26/08/2022 19:35

Nga 1 shtatori, Kosova pritet të fillojë zbatimin e vendimit për reciprocitet me Serbinë për targat dhe letërnjoftimet. Ministri i Punëve të Brendshme Xhelal Sveçla thotë se Policia e Kosovës është e gatshme të zbatojë vendimin.

Ai beson se qytetarët serb në veri e kanë kuptuar nevojën e zbatimit të këtij vendimi i cili është me përfitime për ata.

Lexo Edhe:

Zbatimi i vendimit më herët, thotë ministri i Brendshëm i Kosovës është penguar nga strukturat kriminale që janë pasuruar dhe fuqizuar me ndihmën e Beogradit për të luftuar shtrirjen dhe sundimit dhe ligjit në atë zonë.

“Qeveria e Republikës së Kosovës ka marrë vendim që të fillojë zbatimin e këtyre dy vendimeve dhe pa asnjë hezitim ne ato vendime do t’i realizojmë. Bëhet fjalë për një lëshim të dokumentit për hyrje-dalje të shtetasve të Serbisë në Kosovë, gjë e cila ndodh me shtetasit e Kosovës tashmë për 11 vite. Dhe vendimi i dytë është kalimi i veturave me targa ilegale në vetura me targa legale. Edhe ky një vendim plotësisht i ligjshëm dhe i bazuar në marrëveshjet e arritura deri tani në Bruksel. Po, ka pasur tendenca destabiliteti nga struktura kriminale në veri të mbështetura dhe të drejtuara nga Beogradi e të shtyra nga Moska. Por unë jam i bindur se institucionet e sigurisë së Kosovës, Ministria e Punëve të Brendshme si bartëse e këtij procesi, janë plotësisht të pjekura, të gatshme dhe mjaftueshëm të forta që të zbatojnë këto dy vendime”, tha ai në një intervistë për Alsat M.

Sipas tij, zbatimi i këtyre dy vendimeve u shty për një muaj me qëllim që qytetarët e etnisë serbe në Kosovë të informohen sa më shumë, sa më drejt për këto dy vendime, derisa ka folur edhe për veriun e vendit, ku ka thënë se kanë realizuar disa aksione por që janë përballur edhe me strukturat kriminale të nxitura nga Serbia.

“Ne jemi të vendosur që sundimi i rendit dhe ligjit duhet të shtrihet dhe këtë e dëshmojmë çdo ditë me punën tonë. Dhe unë jam i bindur se ata edhe e kanë kuptuar se nuk ka asnjë alternativë tjetër përveç që t’i nënshtrohen ligjit si çdo qytetar tjetër i Republikës së Kosovës”, tha ai.

Sveçla është pyetur edhe për deklaratat e zyrtarëve të Serbisë, të cilët thonë se serbët në veri po diskriminohen.

“T’iu them të drejtën, jo vetëm që janë të njëjtit persona por është edhe e njëjta gjuhë e fundit të viteve ’80 dhe fillimit të viteve ’90. Të njëjtit njerëz të cilët shkaktuan katër luftëra në rajon, vazhduan të qeverisin me Serbinë, tashmë i janë kthyer retorikës së vjetër shoviniste dhe përmes kësaj tentojnë që, nën një; të pasqyrojnë një tablo komplet të rrejshme për situatën në Kosovë dhe nën dy; të mobizilojnë elemente radikale brenda shoqërisë serbe në mënyrë që ata pastaj të keqpërdoren. Nuk bëhet fjalë për kurrfarë diskriminimi. Ne me aktivitetet tona nuk jemi të drejtuar kundër cilitdo qytetar pavarësisht përkatësisë etnike apo çfarëdo lloj përkatësie tjetër thjeshtë Policia e Kosovës është aty për të përmbushur detyrën e tyre kushtetuese, ajo është vendosja e rendit dhe ligjit dhe këtë po e bën suksesshëm pa kurrfarë diskriminimi, pa kurrfarë incidenti me qytetarët e asaj pjese po edhe të asnjë pjesë tjetër”, tha ai.

Sveçla ka folur edhe për sigurinë e shqiptarëve në veri të vendit.

“Unë besoj se janë të sigurt. Ne kemi mekanizmat e mjaftueshëm që t’i sigurojmë, të garantojmë siguri dhe mirëqenie për të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës, përfshirë edhe shqiptarët në veri”, tha ai.