Inspektorati Policor i Kosovës ka njoftuar se ka suspenduar zyrtarin policor, i cili dyshohet se mundësoi vjedhjen e arkës në Agjencinë e Ushqimit dhe Veterinarisë, raporton Express.
Përmes një komunikatë drejtuar mediave, IPK-ja ka bërë me dije se ai po dyshohet se ka kryer veprën penale “keqpërdorim të besimit” gjatë angazhimit të tij në punë sekondare në objektin e AUV-it.
Dyshimet e para nga hetuesit e IPK-së janë se zyrtari policor nuk ka treguar nivelin e duhur të profesionalizmit dhe vigjilencës në raport me detyrat për të cilat kanë qenë të caktuara për të.
“Zyrtari policor (tashmë i suspenduar) që ka qenë me detyrë në punë sekondare datën kur ka ndodhur incidenti në objektin e AUV-it, është duke u hetuar me dyshimin se i njëjti ka kryer veprën penale “keqpërdorim i besimit”, thuhet në njoftim.
Sipas IPK-së, hetuesit në koordinim të plotë me Prokurorinë do të vazhdojnë të ndërmarrin edhe veprime të tjera hetimore drejt ndriçimit të plotë të të gjitha rrethanave që ndërlidhen me këtë rast. /Gazeta Express