“Superliga e Kosovës ngjan me filmat e Vietnamit”


load
Gazeta Express
17 Gusht 2019 16:28

Profesori dhe trajneri i futbollit, Bylbyl Sokoli, ka thënë se klubet dhe Federata e Futbollit e Kosovës duhet të punojë më shumë për ta përmirësuar infrastrukturën e futbollit në vend, pasi që kushtet aktuale bëjnë që ndeshjet e futbollit t’u ngjajnë filmave të Vietnamit.

Dje në emisionin “Favorit” në T7 të ftuar ishin të ftuar sekretari i përgjithshëm i FFK-së, Eroll Salihu, trajneri e profesori i futbollit Bylbyl Sokoli dhe komentatori i Super Sport Kosovës, Leart Sveqla, shkruan Gazeta Express.

Përderisa Sokoli e mirëpriti vendimin e Federatës për të bërë reforma në formatin e Superligës, ai mendon se duhet të bëhet punë më e madhe edhe për ta përmirësuar infrastrukturën nëpër stadiume.

“Cilat janë kriteret që duhet t’i plotësojnë klubet, sa publik duhet të kenë? Sa ulëse duhet të jenë? Ku do të jetë vendi për gazetarët sportiv, ku do të vendosen? Këto janë probleme aktualisht prezente në futbollit tonë”, u shpreh Sokoli në “Favorit”.

“Nëpër shumë fusha i shihni kamerat e vendosura nëpër vende apostafate, që në shikim të parë duket se janë të përshtatshme për kamera, por estetikën e një ambienti sportiv… nuk kisha pasur dëshirë ta shoh”.

“Ato vende i ngjajnë atyre shtrofullave e mitralozave nëpër filmat e Vietnamit. Këto gjëra duhet t’i kemi parasysh sepse imazhi ynë duhet të përcillet në formë tjetër sepse kemi mundësi”.

FFK-ja kishte bërë të ditur para pak kohësh se e ka ndryshuar sistemin e garave për sezonin e ardhshëm. Për dallim nga sezonet e kaluara, nga Ipko Superliga do të bien katër klube, pasi që prej sezonit të ardhshëm do të garojnë vetëm dhjetë klube, në krahasim me 12 që merrnin pjesë në sezonet e kaluara. /Gazeta Express/

Artikull i sponsoruar

Te fundit


Kthehu lart