Super Griezmann, Barcelona deklason Real Betisin


Gazeta Express
25 Gusht 2019 22:56

Antoine Griezmann e ka vërtetuar sot  se vlen 120 milionë euro. Ai e ka udhëhequr Barcelonën për të fituar tre pikë kundër Real Betisit, në një ndeshje ku mungonin Messi, Suarez dhe Dembele. Barcelona e ka shkatërruar me rezultat 5-2 Real Betisin për të fituar tre pikët e para në La Liga

Pa Messin, pa Suarezin dhe pa Dembelen.

Por, nuk ka problem. Antoine Griezmann e ka kthyer Barcelonën me dy golëshin e tij, derisa pas këtyre dy golave shokët e tij të skuadrës shënuan edhe tre të tjerë për të përfunduar me stil dhe për ti fituar tri pikët e para në sezonin e ri.

Fillimi i pjesës së parë ishte shumë më i mirë për Real Betisin, të cilët e filluan shumë mirë atë.

Madje ata arritën që të shenojnë që në minutën e 15-të, ku me gol në Camp Nou debutoi transferi i ri i Betis, Nabil Fekir.

Pas golit të pësuar Barcelona e merr veten. Sergi Roberto bën një pasim të mirë për Griezmann në minutën e 41, derisa ky i fundit shënon me vole në golin e Daniel Martin.

Pjesa e përfundon me rezultat të barabartë 1-1.

Në pjesën e dytë pamë një Barcelonë tërësisht tjetër e cila i kthej gjërat tërësisht në dobi të saj.

Griezmann ishte orkestrues i Blaugrana pasi që në minutën e 50-të shënoi një super gol për të qenë në epërsi Barcelona përsëri.

Seria e golave për Barcelonën vazhdoi në minutën e 56-të me Carles Perez kurse katër minuta më vonë shënon edhe Jordi Alba.

Arturo Vidal shënon golin e pestë në minutën e 77-të.

Krejt çka bëri Real Betis ishte një gol në minutën e 79-të pas një gabimi të mbrojtjes se Barcelonës.

Kjo është fitorja e parë e Barçës në sezonin e ri, pasi që javën e kaluar kishte dështuar për të fituar kundër Athletic Bilbao.

Me këtë fitore Barcelona arrin në vendin e 9-të, kurse javën tjetër përballet me Osasunan. /GazetaExpress/

Artikull i sponsoruar

Te fundit


Kthehu lart