Sulm i armatosur në Kaliforni, katër të vrarë


Gazeta Express
18 Nëntor 2019 8:48

Katër persona janë qëlluar për vdekje në Kaliforni të Shteteve të Bashkuara pasi disa të dyshuar u futën në një oborr ku ishte organizuar një ndejë dhe filluan t’i sulmonin pjesëmarrësit me armë zjarri.

Sulmi ndodhi rreth orës 6 të pasdites së të dielës në pjesën juglindore të qytetit Fresno, ku dhjetëra njerëz ishin mbledhur për të përcjellë një ndeshje futbolli, njoftoi policia lokale.

Michale Reid, nënkomandant i policisë në Fresno tha se në këtë sulm me armë janë qëlluar dhjetë persona. Tre njerëz vdiqën në vendin e ngjarjes, ndërsa një tjetër ndërroi jetë më vonë në spital.

Policia tha se gjashtë njerëz të tjerë pritet të mbijetojnë pasi kanë pësuar plagë më të lehta dhe janë duke u trajtuar në spital. Autoritetet njoftuan se të gjitha viktimat e këtij sulmi ishin persona me prejardhje nga Azia dhe i përkisnin moshave 25 deri 35-vjeçare.

Në këtë ndejë besohet se po merrnin pjesë rreth 35 persona, njoftoi policia. Asnjë person ende nuk është arrestuar lidhur me këtë sulm.

Ky ishte sulmi i dytë fatal të dielën në Fresno. Një djalë i ri u qëllua për vdekje më herët të dielën përderisa po qëndronte në shtëpinë e tij, shkruan “The Guardian”, transmeton Gazeta Express.

Te fundit


Kthehu lart