Stuhia e fuqishme godet Ballkanin, sonte priten reshje të rrëmbyeshme të shiut dhe erëra të forta në Maqedoni


Gazeta Express
14 Maj 2019 15:57

Stuhi e fuqishme ka goditur Ballkanin. Bosnja, Kroacia dhe Serbia mbrëmë dhe në mëngjesin e sotëm janë përballur me reshje të rrëmbyeshme të shiut dhe erëra të forta.

Disa lumenj artificial kanë dalë nga shtrati ndërsa drunjtët nuk i kanë rezistuar erës së fortë.

Në këto vende raportohet për disa të lënduar dhe dëme materiale. Sipas Entit Hidrometeorologjik, parashikohet që në orët e mbrëmjes stuhia të godasë edhe Maqedoninë e Veriut.

“Mot kryesisht e vranët dhe reshje të shiut. Pasdite dhe në orët e mbrëmjes, reshjet do të jenë më intensive, ndërsa në disa vende do të kemi mot jo-stabil për shkak të reshjeve të shumta, bubullimave dhe erërave të forta. Në disa vende do të ketë edhe breshër”– theksuan nga Enti Hidrometeorologjik

Paralajmërimet për reshje të rrëmbyeshme kanë mobilizuar Institucionet si Ndërmarrjen Publike “Ujësjellës dhe Kanalizime”, Qendrën për Menaxhim me Kriza, shërbimet zjarrfikëse dhe komunat për të marrë masa parandaluese.

Qendra për Menaxhim me Kriza, apelon qytetarët që në raste rreziku për shkak të motit të keq, të paraqiten në numrin e telefonit 195.

Komunat dhe Qendra për Menaxhim me Kriza kanë bërë thirrje që sonte të mos dilet pa nevojë dhe veturat të mos parkohen afër kanalizimeve atmosferike e as ndër pemë.

Te fundit


Kthehu lart