Studimi i ri: Një epidemi e koronavirusit ishte përhapur para 20.000 viteve - Gazeta Express
string(74) "studimi-i-ri-nje-epidemi-e-koronavirusit-ishte-perhapur-para-20-000-viteve"

Lajme

Gazeta Express

25/06/2021 11:11

Studimi i ri: Një epidemi e koronavirusit ishte përhapur para 20.000 viteve

Lajme

Gazeta Express

25/06/2021 11:11

Disa gjene njerëzore evoluuan shpejt në Azinë e lashtë Lindore për t’i parandaluar infeksionet e koronavirusit, thonë shkencëtarët. Ato gjene mund të jenë jetike për pandeminë e sotme.

Përktheu: Nasuf Abdyli

Lexo Edhe:

Hulumtuesit kanë gjetur dëshmi se një epidemi e koronavirusit e kishte përfshirë Azinë Lindore rreth 20.000 vite më parë dhe ishte mjaftueshëm shkatërruese për të lënë shenjë revolucionare në ADN-në e njerëzve që jetojnë sot, shkruan The New York Times, transmeton Gazeta Express.

Studimi i ri sugjeron se një koronavirus i lashtë e kishte përfshirë atë rajon për shumë vjet, thonë shkencëtarët. Ky zbulim mund të ketë ndërlikime kritike për pandeminë Covid-19, nëse ajo nuk futet së shpejti nën kontroll përmes vaksinimit.

“Do të duhej të na brengoste”, thotë David Enard, biolog i evolucionit në Universitetin e Arizonës, i cili gjithashtu është udhëheqës i studimit të ri, të publikuar të enjten në revistën “Current Biology”. “Ajo që po ndodh tash mund të vazhdojë për gjenerata e gjenerata”, shtoi ai.

Deri më tani, hulumtuesit nuk kanë mundur të shikojnë shumë prapa në historinë e kësaj familjeje të patogjenëve. Gjatë 20 viteve të kaluara, tri koronaviruse janë përshtatur për t’i infektuar njerëzit dhe për të shkaktuar sëmundje të rëndë të frymëmarrjes: Covid-19, SARS dhe MERS. Studimet rreth secilit prej tyre lënë të kuptohet se këto viruse kanë “kërcyer” në speciet tona nga lakuriqët apo nga kafshët tjera.

Katër koronaviruse tjera gjithashtu mund t’i prekin njerëzit, por ato zakonisht shkaktojnë vetëm ftohje të lehtë. Shkencëtarët nuk panë që këto koronaviruse të jenë bërë drejtpërdrejt patogjenë njerëzorë, prandaj ata u mbështetën në shenja të tërthorta për të vlerësuar se kur ndodhi kalimi te njeriu. Koronaviruset zhvillojnë mutacione të reja pothuajse në periudhë të rregullt, prandaj krahasimi i varianteve të tyre gjenetike e bën të mundshme të përcaktohet se kur u ndanë ato nga një paraardhës i përbashkët.

Varianti më i ri i këtyre koronaviruseve të buta, i quajtur HCoV-HKU1, e kaloi pengesën e specieve në vitet e pesëdhjeta të shekullit të kaluar. Koronavirusi më i vjetër, i quajtur HVoV-NL63, mund të datojë që nga para 820 viteve.

Por para kësaj pike, gjurmët për hulumtimin e koronaviruseve u zhdukën, derisa Dr.Enard dhe kolegët e tij zbatuan një metodë të re në studim. Në vend se t’i shikonin gjenet e koronaviruseve, hulumtuesit i analizuan efektet në ADN-në e njerëzve që ishin prekur nga viruset.

Nëpër gjenerata, viruset zhvillojnë sasi të jashtëzakonshme të ndryshimeve në gjenomin njerëzor. Një mutacion që mbron kundër një infeksioni viral mund ta nënkuptojë dallimin mes jetës dhe vdekjes dhe do të kalojë në pasardhës. Një mutacion jetëshpëtues, për shembull, mund t’ua mundësojë njerëzve që t’i copëtojnë proteinat e virusit.

Por viruset mund të evoluojnë, gjithashtu. Proteinat e tyre mund ta ndryshojnë formën për ta tejkaluar mbrojtjen e organizmit ku ndodhen. E këto ndryshime mund ta nxisin organizmin që të zhvillojë edhe më shumë kundërsulme, duke çuar në më shumë mutacione, transmeton Gazeta Express.

Kur një mutacion i ri i rëndomtë ndodhë të ofrojë rezistencë ndaj virusit, ai mund të bëhet shpejt më i zakonshëm nga një gjeneratë në tjetrën. Versionet tjera të atij gjeni bëhen më të rralla. Prandaj, nëse një version i gjeneve mbizotëron ndaj të tjerëve në grupe të mëdha të njerëzve, shkencëtarët e dinë se, sipas të gjitha gjasave, kjo është shenjë e evolucionit të shpejtë në të kaluarën.

Viteve të fundit, Dr. Enard dhe kolegët e tij e kanë hulumtuar gjenomin njerëzor për këto mostra të variacionit gjenetik me qëllim të rindërtimit të historisë së një vargu virusesh. Kur nisi pandemia, ai pati hamendje nëse koronaviruset e lashta kishin lënë shenjë të dallueshme të veten apo jo.

Ai dhe kolegët e tij e krahasuan ADN-në e mijëra njerëzve nga 26 popullsi të ndryshe përreth botës, duke kërkuar një kombinim të gjeneve që njihet se është jetik për koronaviruset por jo për llojet tjera të patogjenëve. Në popullsitë e Azisë Lindore, shkencëtarët zbuluan se 42 prej këtyre gjeneve kishin pasur një variant mbizotërues. Ky ishte sinjal i fuqishëm që njerëzit në Azinë Lindore ishin përshtatur ndaj një koronavirusi të lashtë.

Por çfarëdo që ndodhi në Azinë Lindore duket të ketë qenë e kufizuar në atë rajon. “Kur i krahasuam ato me popullsitë përreth botës, ne nuk mundëm ta gjejmë sinjalin”, tha Yassine Souilmi, hulumtues në Universitetin e Adelaides në Australi dhe bashkautor i studimit të ri.

Shkencëtarët pastaj u përpoqën që të vlerësojnë se para sa kohe banorët e Azisë Lindore ishin përshtatur ndaj një koronavirusi. Ata e shfrytëzuan përparësinë e faktit që posa një variant mbizotërues i një gjeni fillon të kalojë nëpër gjenerata, ai mund të fitojë mutacione të rëndomta të padëmshme. Sa më shumë kohë që kalon, aq më shumë mutacione grumbullohen.

Dr. Enard dhe kolegët e tij zbuluan se 42 gjenet patën përafërsisht numër të njëjtë të mutacioneve. Kjo nënkuptonte që ato të gjitha kishin evoluuar shpejt pothuajse në të njëjtën kohë. “Ky është një sinjal që ne absolutisht nuk duhet ta presim sipas gjasës”, tha Dr. Enard.

Shkencëtarët vlerësuan se të gjitha ato gjene i zhvilluan mutacionet e tyre antivirale rreth 20.000 deri në 25.000 vite më parë, sipas shumë gjasave, përgjatë disa shekujve. Ky është një zbulim befasues, sepse banorët e Azisë Lindoe në atë kohë nuk ishin duke jetuar në komunitete të dendura, por në grupe të vogla të gjahtarëve.