Studimi i ri mund të shpjegojë se pse evolucioni i ka “shëndoshur” njerëzit


Gazeta Express
9 Korrik 2019 10:40

Në studimin e ri, shkencëtarët kanë krahasuar mostra në mes të indeve dhjamore të njerëzve dhe disa primatëve, dhe kanë gjetur se ndryshimet në ADN, që janë bërë me kohë kanë afektuar edhe procesin e shkrirjes së dhjamit, shkruan Medical News, transmeton Gazeta Express.

Organizmi i njeriut ka nevojë për inde dhjamore për të siguruar rezerva të energjisë dhe për të mbrojtur organet. Yndyra gjithashtu ndihmon trupin t’i absorbojë disa përbërës ushqyes dhe të prodhojë disa hormone të rëndësishme. Disa lloje të yndyrnave janë të dëmshme për organizmin duke rritur kështu nivlin e kolesterolit “të keq” në gjak.  Të gjitha llojet e yndyrnave procesohen përmes metabolizmit, dhe çdo imbalanc i këtij procesi mund të shkaktojë obezitet, diabet dhe sëmundje kardiovaskulare.

Shprehitë “moderne” të të ngrënit dhe mungesa e aktiviteteve fizike kanë kontribuar në përhapjen e “epidemisë” së obezitetit në botë, mirëpo një studim i bërë së fundmi tregon se një rol në përhapjen e kësaj “epidemie” ka luajtur edhe evolucioni.

Shkencëtarët kanë gjetur se ndryshimet e strukturës së ADN-së brenda qelizave yndyrore që janë bërë si rezultat i evoulimit të organizmit të njeriut, kanë zvogëluar aftësinë e trupit t’i kthejë yndyrnat e “këqija” në yndyrna të “mira”.

“Ne jemi primatët e shëndoshë”, tha Devi Lenz, autore e këtij studimi dhe profesoreshë e biologjisë ne Universitetin Duke.

Me anë të një teknike të quajtur ATAC, profesoresha Lenz dhe ekipi i saj kanë analizuar mostrat e shimpanzave dhe primatëve të tjerë dhe i kanë krahasuar me qelizat yndyrore të njeriut. Sipas gjetjeve, njerëzit kanë 14-31% të trupit të përbërë nga yndyra të këqija, kurse primatët e tjerë kanë më pak se 9%. Gjithashu ADN-ja e njerëzve është më e kondenzuar, gjë që pamundëson aftësinë e shumë gjeneve të përfshihen në metabolizmin e indeve yndyrore.

Gjithashtu një arsye tjetër, që njerëzit kanë më pak aftësi të konvertojnë yndyrën “e keqe” në yndyrë “të mirë” është se truri i njerëzve në krahasim me primatët e tjerë është zhvilluar 3 herë më shumë, dhe përdorë më shumë energji se të gjitha organet e tjera.

Shkencëtarët shpresojne që një ditë të jenë të aftë të gjejnë grupet e gjeneve përgjegjëse për këtë proces dhe t’i aktivizojnë ato sa herë që ka nevojë, mirëpo mendojnë se do të duhet shume punë dhe kohë deri në arritjen e këtij qëllimi. /Gazeta Express.

Përktheu: Endrina Ramabaja

Te fundit


Kthehu lart