Studim: Shtypja e lartë e gjakut dhe diabeti e dëmtojnë funksionimin e trurit - Gazeta Express
string(76) "studim-shtypja-e-larte-e-gjakut-dhe-diabeti-e-demtojne-funksionimin-e-trurit"

Gazeta Express

07/09/2020 15:01

Studim: Shtypja e lartë e gjakut dhe diabeti e dëmtojnë funksionimin e trurit

Gazeta Express

07/09/2020 15:01

Sipas një studimi britanik, shtypja e lartë e gjakut dhe diabeti shkaktojnë ndryshime në tru që dëmtojnë kujtesën dhe të menduarit.

Mjekët i analizuan fotografimet e trurit dhe të dhënat mjekësore nga 22 mijë vullnetarë që morën pjesë në projektin “UK Biobank” dhe gjetën ndryshime të theksuara strukturore në masën e bardhë dhe të hirtë të trurit te personat që vuanin nga shtypja e lartë e gjakut dhe diabeti.

Lexo Edhe:

Personat e njëjtë gjithashtu shënuan rezultat më të dobët në testet për shkathtësi njohëse, me të cilat u mat shpejtësia e të menduarit dhe kujtesa afatshkurtër, duke e ngritur mundësinë që problemet shëndetësore po shkaktojnë rënie të funksionimit të trurit, shkruan The Guardian, transmeton Gazeta Express.

“Në mënyrë të veçantë, rezultatet tregojnë se është e mundshme që të vërehen efektet negative të faktorëve të rrezikut në qarkullimin e gjakut, siç është shtypja e lartë dhe diabeti, në funksionin njohës dhe strukturën e trurit”, tha Masud Husain, profesor i neurologjisë në Universitetin e Oksfordit.

“Ndërlikimi kryesor është se këta faktorë rreziku nuk kanë ndikim vetën në atë që ndodh më vonë gjatë jetës – në rrezikun për zhvillimin e demencës – por ata kanë ndikim në tru dhe nivelin e tanishëm të funksionit njohës edhe në moshën e mesme”, shtoi ai.

Shkencëtarët thanë se lidhja më e fuqishme mes dëmtimit të funksioneve të trurit me shtypjen e lartë dhe diabetin është te personat e moshave 44 deri në 69-vjeçare, por ndikimi është vërejtur edhe te njerëzit që kanë më shumë se 70 vjet.

Studimet e kaluara kanë sugjeruar se shtypja e lartë e gjakut dhe diabeti në moshën e mesme mund ta rrisin rrezikun për t’u prekur nga demenca në fazën e mëvonshme të jetës, por rezultatet më të reja tregojnë se këto sëmundje mund të ndikojnë negativisht në tru para pleqërisë.