Strehonte bandat antikomuniste, historia e dhimbshme e Mark Gjok Carës. Si u arratis në ’52-in bashkë me gruan duke lënë në fshat vajzën e sapolindur


load
Gazeta Express
2 Shtator 2019 15:11

Historia e rrallë dhe e dhimbshme Marka Gjok Carës nga Spaçi i Mirditës i cili në vitin 1952 u detyrua që të arratisej nga Shqipëria pasi ndiqej nga Sigurimi i Shtetit si strehues i grupeve të rezistencës antikomuniste të Pukës e Mirditës me në krye familjen Mirakaj, Mëlyshi, Gjonmarkaj etj., dhe si e ndihmoi atë Cub Marka Gjoni nga fshati Kçirë i Pukës që i mbajti dy vajzat e vogla, ku njëra e sapolindur…?! E gjithë ngjarja sipas dëshmive të bashkëshortes, Lezes 100 vjeçare me banim në Itali dhe e së bijës, Gjystes, e nipit, Frrok Zef Mëlyshi me banim në Belgjikë….

Nga Dashnor Kaloçi, TemA

Ashtu siç është e njohur tashmë se pas ardhjes së regjimit komunist të Enver Hoxhës në pushtet në nëndorin e vitit 1944, shumë nga kundërshtarët e tij politik pjestarë të formacioneve ushtarake të Ballit dhe Legalitetit por dhe antikomunistë e nacionalistë të paangazhuar në këto organizata nacionaliste, nuk pranuan të largoheshin nga Shqipëria por qëndruan në male, pjesa më e madhe kryesisht në Veriun e Shqipërisë, ku në periudhën 1944-1954 organizuan rezistëncën antikomuniste. Gjë e cila shkaktoj me qindra dhe qindra të vrarë dhe po kaq të internuar apo burgosur në kampet dhe burgjet e regjimit komunist të Enver Hoxhës, ku familje të tëra provuan drama të tmershme që akoma dhe sot nuk janë shlyer nga kujtesa dhe kanë lënë gjurmë e vraga të thella tek ata që i provuan dhe pasardhësit e tyre.

Por edhe pas gati 30 vjetësh nga shëmbja e atij regjimi, (megjithë punën tejet voluminoze të Institutit për Evidentimin dhe Pasqyrimin e Krimeve të Komunizmit), historia e vërtetë se çfarë ndodhi me ata njerëz që qëndruan nëpër male duke u ndeshur dhe luftuar edhe me armë me një nga regjimet më të egra komuniste të gjithë Evropës Lindore, duket se është ende e paplotë dhe ajo do të vazhdojë të plotësohet nga dëshmi gojore të atyre njerzve që i vuajtën ato dhe i provuan mbi kurriz ato tmerre. Një prej tyre është dhe historia e dhimbëshme e Marka Gjok Carës me origjinë nga Spaçi i Mirditës, për të cilën bën fjalë dhe ky shkrim që e kemi përgatitur në bazë të dëshmive të familjarave të tij, bashkëshortes, Leze Cara, (99 vjeçe) me banim në Itali, të bijës, Gjyste Cara Mëlyshi (72 vjeçe), dhe nipit, Frrok Zef Mëlyshi me banim në Bruksel.

Pas Luftës, kryetar i Lokalitetit të Fush-Arrëzit

Gjatë periudhës së pushtimit nazi-fashist të vëndit, Marka Gjok Cara doli në mal dhe u bashku me Mat Dodën e Pashko Currin të cilët formuan dhe çetën e parë antifashiste në krahinën e Mirditës, ku më pas do të bashkoheshin edhe disa të rinj komunistë idealist si Bardhok Biba, Mëhill Doçi, Ndrec Ndue Gjoka, Mark Dodani etj. Për kontributin e tij gjatë Luftës në rradhët e Lëvizjes Antifashiste, pas vitit 1945 Marka Gjok Cara u emërua si Kryetar i Këshillit (nga Frontit Demokratik) i lokalitetit të Fushë-Arrëzit, ku ai shërbeu me të gjitha energjitë e tija banorëve të asaj zone të thellë dhe mjaft të prapambetur. Por edhe pse ishte në atë funksion drejtues si kryetar i lokalitetit të Fushë-Arrëzit, gjatë atyre viteve Marku i shikonte me dyshim reformat që po ndërrmerte “pushteti popullor” dhe ai do të zhgënjehej shpejt prej vijës politike që po ndiqte regjimi komunist i Tiranës, kryesisht me luftën e egër klasave e cila në ato zona të thella dhe të prapambetura në të cilat gjendeshin bajrakët e Mirditës dhe Pukës, ajo merrte trajta të tjera dhe zhvillohej edhe më e ashpër.

Marku si një njeri me karakter të fortë dhe burrë i besës, nuk mund të pajtohej kurrsesi ndaj trajtimit që u bëhej familjeve që etiketoheshin si “reaksionare” të cilat kishin njerëz të arratisur jashtë Shqipërisë apo në male me grupet e rezistencës antikomuniste etj, ku pjesa më e madhe e tyre përfundonin burgjeve dhe internimeve, me akuzën e njohur se “kanë strehuar diversantë”. I gjenduar përpara këtyre situatave tepër të vëshitira, ndryshe nga sa ia kërkonte detyra si kryetar lokaliteti “për të luftuar kundër atyre të malit”, dhe për të firmosur e aprovuar internimet e familjeve të tyre, Marka Cara jo vetëm që nuk zbatoi vijën politike të Partisë, por ai doli kundër saj duke i ndihmuar “ata të malit” me të gjitha mundësitë e tij, natyrisht në fshehtësi të madhe dhe pa dalë hapur.

Aq e madhe ishte ndihma që Marka Cara iu jepete “atyre të malit” saqë na periudhën 1949-1952, pjesa më e madhe e grupeve të rezistencës antikomuniste që vepronin asokohe në malet e Mirditës, u zhvendosën në zonën e Pukës afër Fush-Arrëzit ku ishte Marku si kryetar lokaliteti, pasi aty ndjeheshin të sigurtë dhe kishin mbështetjen e tij. Një nga miqtë dhe bashkëpunëtorët më të ngushtë të Marka Carës në atë kohë, ishte Pjetër Çup Qafa, të cilin Marku e kishte një nga njerzit më besnik të tij dhe ai mbantë lidhjet me krerët e grupeve të rezistencës antikomuniste që vepronin asokohe kryesisht në zonat Pukë-Mirditë, si p.sh. vëllezërit Ndoc e Pal Mirakaj të Kryeziut, Ndue e Nikoll Mëlyshi nga familja e bajraktarit të Kthellës, e Ndue e Gjon Gjomarkaj të Oroshit të Mirditës etj, etj.

Dalja e Markut në mal bashkë me Pjetër Çup Qafën

Por aktiviteti dhe veprimtaria e fshehtë e Marka Carës në mbrojtje dhe mbështetje të grupeve të rezistencës antikomuniste si dhe familjeve të tyre, ra në sy të organeve të Sigurimit të Shtetit, të cilat filluan gjurmimin e ndjekjen e tij. I ndodhur në këtë situatë tejet të vështirë dhe për t’i shpëtuar arrestimit, aty nga fillimi i muajt maj të vitit 1952, Marku u detyrua që të arratisej dhe të dilte edhe vetë në mal së bashku edhe me mikun e bashkëpunëtorin e tij të ngushtë, Pjetër Çup Qafa, duke u bashkuar me grupet e rezistencës antikomuniste. Dalja e Marka Gjok Carës në mal asokohe bëri bujë të madhe pasi ishte një rast i veçantë që një funksionar i pushtetit të “tradhëtonte” dhe të bashkohej “me ata të malit”…?!

Dhe nisur nga ky fakt, asokohe u organizuan disa operacione për arrestimin e tij ku morrën pjesë repartet e Divizionit të Mbrojtjes dhe forcat vullnetare (pushkatarët), por që të gjitha dështuan, pasi Marku jo vetëm që e njihte mirë atë zonë, por ai kishte dhe një mbështetje të madhe ndër shumë fshatra të rrethit të Pukës e Mirditës ku ai kishte shërbyer prej disa vitesh. Fillimisht Marku qëndroi i strehuar nëpër malet afër Fushë-Arrëzit pasi ai kishte vendosur që të mos kalonte kufirin për në Jugosllavi, pa marrë me vete dhe bashkëshorten e tij, Lezen, të cilën e kishte lenë në shtëpi me vajzën e vogël (Gjysten) vetëm tre vjeçe dhe shtatëzanë në pritje për të lindur një fëmije tjetër. Kjo ishte dhe arsyeja kryesore që kur doli Marku në mal në arrati, ai nuk e morri me vete bashkëshorten, e cila nga fundi i qershorit të vitit 1952, lindi edhe një vajzë tjetër që e quajtën Angjelina.

Arratisja e Marku me bashkëshorten në Jugosllavi

Pas dështimit të disa operacioneve për kapjen e Marka Gjok Carës dhe dy tre bashkëpunëtorëve të tij të ngushtë që e shoqëronin kudo me në krye Pjetër Çup Qafën, organet e Sigurimit të Shtetit u përqëndruan në survejimin e familjes së tij, pasi mendonin se Marku mund të vinte fshehurazi të takonte bashkëshorten e tij, Lezen, me dy vajzat e vogla, (Gjysten tre vjeçe dhe Anxhen të porsalindur) e cila qëndronte tek shtëpia e nënës së saj, Gjela e Pal Gjonit, në fshatin Kçirë i Pukës, ku i zoti i shtëpisë ishte Cub Marka Gjoni, pasi në atë kohë Pal Gjoni ishte në burg politik i dënuar si “armik i popullit”.

Gjela ishte një grua burrneshë e cila e mori të bijën në shtëpi edhe pse e dinte se do ishte gjithë kohën nën survejimin dhe dhunën e pushtetit komunist që jo vetëm nuk ja falnin lehtë Markut, “tradhëtinë”, por ata u kishin dhënë ultimatum familjarëve të tij, që të njoftonin menjëherë për çdo të dhënë apo infromacion që mund të kishin për të, pasi në të kundër ato do të burgoseshin dhe internoheshin. Por edhe pse në këtë situatë, nanë Gjela në mënyrë demonstrative merrte fëmijën e porsalindurt në krah dhe e çonte në disa shtëpi të Kçirës, Lufit apo Fushë-Arrëzit etj, ku kishte nëna të reja që sapo kishin lindur, në mënyrë që ta ushqenin me gji Anxhen, pasi të jëmës Lezes i kishte ikur gjiri, nga gjëndja e vështirë që ajo po kalonte me bashkëshortin të arratisur në male si “armik i popullit”.

Nisur nga këto rrethana, pra, teksa bashkëshortja e Markut ishte me dy fëmijë të vegjël (njërën të sapolindur), njerzit e Sigurimit e humbën shpresën se Marku mund të kthehej në shtëpi, pasi ai me atë veprim do t’i dëmtonte rëndë ata. Por pikërisht ajo që nuk mendohej, ndodhi në të vërtetë, pasi nga fundi i javës së parë të korrikut të vitit 1952, pas një plani të paramenduar deri në detaje, Marka Gjok Cara në fshehtësi të plotë erdhi dhe takoi bashkëshorten e tij te shtëpia e Cub Mark Gjonit në fshatin Kçirë të Pukës (afër fshatit Luf), ku Lezja rrinte bashkë me të jëmën Gjelën dhe vajzën e vogël, Anxhen.

Asnjera prej tyre nuk e dinte se Marku do të shkonte aty dhe prania e tij i la ato pa mënd dhe nuk donin t’u besonin syve kur ai u shfaq para tyre. Pasi Marka Cara çdo gjë e kishte biseduar vetëm më Cub Marka Gjonin, i cili i kishte dhënë besën e burrit se ajo punë ishte e kryer dhe plani do të mbahej i fshehtë pa ia treguar as robve të shtëpisë. Takimi mes tyre në kullën e Cub Marka Gjonit zgjati vetëm pak minuta, pasi rreziku ishte i madh dhe Marku i kërkoj bashkëshortes, Lezes, që të linte fëmijën në duart e të jëmës dhe bashkë me të të largoheshin urgjent prej aty, pasi po atë natë do të udhëtonin për në drejtim të kufirit…?! Lezja u tmerrua nga ato fjalë që i tha bashkëshorti Marku dhe ia kërkoi t’ja përsëriste se nuk po i besonte veshëve.

Dhe Marku në mënyrë ultimative ia përsëriti ato fjalë Lezes së cilës sa nuk i ra foshnja nga dora dhe në mënyrë kategorike ia ktheu të shoqit se ajo gjë nuk mund të ndodhte kurrë. Në ato çaste, Marku dhe Lezja në mënyrë instiktive kthyen kokën nga nanë Gjela, e cila pa folur asnjë fjalë, po me vështrimin e saj, dukej se i thoshte të bijës se: në bazë të Kanunit, pasi kishte dalë nga dera e babës, ajo duhej të dëgjonte urdhërat e të shoqit dhe t’u bindej atyre.

Dhe pa i lënë kohë të mendohej të bijës, zgjati duart dhe ia morri nga krahët vajzën e porsalindur, gjë e cila do të thoshte se tashmë ajo duhej të shkonte pas të shoqit…?! Heshtjen që pllakosi atë dhomë të errët të kullës së Cub Marka Gjonit që ruante jashtë saj se mos diktoheshin dhe u ndodhte gjë miqve, e prishi Marka Cara i cili i tha së shoqes: “Shkojmë vrik (shpejt) pa humbur kohë, se i gjalli e ka nafakën, (shpresën) se po nejëm kha, qita….(komunistët), do t’na plirin, do t’na qesin fare, do na grijnë…, copash do t’na bajnë të gjithve dhe s’do ngopen m’ne….”. Pas atyre fjalëve Marku dhe Lezja u ndanë me nanë Gjelën e cila mbante në krahë mbesën e vogël tre javëshe që fatmirësisht po flinte dhe po atë natë bashkë me Pjetër Çup Qafën që priste jashtë bashkë me Cub Marka Gjonin dhe dy tre miq të tyre besnik që i shoqëronin, morrën rrugën në drejtim të kufirit me Jugosllavinë…?! Në bazë të zakonit por dhe planeve që kishin bërë që më parë, ata u përcollën nga Cub Marka Gjoni deri në një fshat diku më larg ku rreziku ishte më i vogël. Ngjarja e arratisjes së Marka Gjok Carës me bashkëshorten e tij, Lezen, u mësua që të nesërmen e asaj nate dhe ajo bëri bujë të madhe në të gjithë Mirditën e Pukën, ku Forcat e Ndjekjes dhe ato vullnetare (pushkatarët), u vunë në ndjekje të tyre. Por ishte vonë, pasi Marku me bashkëshorten dhe njerzit besnik që e shoqëronin e kaluan kufirin në mesnatën e 10 korrikut të vitit 1952, duke dalë në territorin jugosllav pa u diktuar nga rojet shqiptare të kufirit.

Veprimtaria e Markut në librin e botuar në SHBA në 1976-ën

Lidhur me aktivitetin dhe veprimtarinë e Marka Gjok Carës si Kryetar i Lokalitetit të Fushë-Arrëzit dhe ndihmën që u jepte ai në atë kohë që ishte në atë detyrë grupeve të rezistencës antikomuniste para se ai të arratisej nga Shqipëria, ka shkruar gjatë edhe Nikoll Mëlyshi, (babai i Pal Mëlyshit, “Hero i Popullit”), një bashkëpatriot e tij, që si dhe Marku patën të njëtën fat tragjik, pasi u detyrua që të arratisej nga Shqipëria, duke lenë një pjesë të familjes këtu. Kështu në librin e tij “Ngjarje të ndime, të pame dhe të jetueme”, (fq. 295, botuar në Detroit SHBA në vitin 1976), ku autori Nikoll Mëlyshi ka përshkruar me detaje të gjithë historinë e grupeve të rezistencës antikomuniste në Shqipërinë e Veriut në vitet 1945-1954, midis të tjerash shkruan: “Në lidhje me luftëtarët e lirisë parashytista, të ardhun prej Italis, me misjone ndërlidhje të jashtëme, për të ndihmuar luftëtarët e mbrendshëm, gjithashtu në lidhje me luftëtarët e mbrendshëm që hyjshin e delshin si “terrenista” nga Jugosllavija, në vjetin 1945-1952, zhvillimi i aktivitetit të luftëtarëvet dhe parashytistave, asht zhvillue ma tepër se në çdo bajrak tjetër të Mirditës, në bajrakun e Spaçit dhe veçanërisht në Fushën e Arsit, për këto arsyena kryesore:

1.Operacjonet e forta komuniste qysh prej fillimit 1945 e deri në fund të 1952-it, i kan pasë paralizue me terror të fortë, me stil të gjanë krejt bajrakët e tjerë të Mirditës dhe luftëtarët nuk kishin ma mundësi me ba qëndra organizimi dhe ndërlidhje sidomos me krahinat e tjera.

2.Katundi i Fushës së Arsit, u ba qëndra mbrojtëse, strehimi ndërlidhje, e deri te mjekimi i luftarve të plagosun rand, nëpër shtëpijat e katundit të Fush Arsit, si p.sh. shërimi i luftëtarit Gjon Gjinit në shtëpinë e Prenush Marka Pjetrit, tue u ba roja e tij, natë e ditë i gjithë katundi, e deri ke ish-kryetari i Këshillit të Frontit Komunist, Marka Cara, qi gjindet sot në Palermo të Italisë dhe të gjithë këta mbrojtësa, u kapën dhe u torturuen, u burgosën nga terrori komunist dhe ma në fund u dasht me shkatërrue krejt pasunin, familjet e tyne dhe me hik në Jugosllavi, këtu po shënojmë vetëm pak emna që njofim:

Marka Carën, Nikoll Shkozën, Jak Prengën, Prenush Marka Pjetrin, Pal e Dod Palucaj, Pjetër Çup Qafën, Frrok Nikoll Jakun, por qi janë dhe qinda e qinda të tjerë mbrojtësa të lirisë.

Mbrojtsa të luftëtarëve të liris patën dhe krahinat e tjera, si p.sh. Puka, shtëpija e madhe bujare, fisnike, besnike dhe me traditë kanunore dhe e pathueshme shekullore, qi sakrifikoi gjithçka për të mbrojt luftëtarët e lirisë, i cili ishte vetë plaku, Mark Zogu, qi sot jeton në Neë York, U.S.A.

Të cillët ishin nëpër shtëpijat e tyne dhe mundeshin me pështue nga rreziku i madh komunist dhe me jetue si gjithë populli tjetër. Këta e dishin fort mirë se luftëtarët e lirisë e kishin bjerrme (humbur, shënimi ynë. D.K.) dhe nji nga nji do të vriteshin nga ndjekjet e forta komuniste, por këta katundar të thjesht, për të mos u turpnue, simbas traditës i shtyni ideali i fort për me ndjek rrugën dhe malin e luftarve, u lidhën besa besë, burr e grue dhe mbrojtën luftarët e liris.

3.Siç dihet qëndra e Fushës së Arsit, bjen në kufij të Pukës dhe kjo qëndër e fortë nacionaliste u dha mundësinë tue u bë udhëjekse Luftëratëve të Lirisë dhe Parashytistëve të të gjithë çetave të Mirditës me u ndërlidhë me çetat e Pukës, të kryesum prej Ndoc e Pal Mirakajt, të cilat kishin pasë mundësinë me i prit dhe me i përcjell bujarisht çetat e Mirditës. Përveç kësaj, kishin bërë edhë një qëndër të patundëshme ndërlidhje të radios trasmetuese, në bjeshkën e Pukës, me qëndrën e jashtëme të Romës, ku punonte rregullisht dhe për një kohë të gjatë, Luftëtari i Liris, parashytisti Kol Çuni.

4.Pal Bib Mirakaj, i papërkulun kurrë ndaj komunizmit qysh në vjetin 1944, ky vetë, qe që ditën e fundit datë 16-17 gusht 1949 me rrethin e vetë Pukas, si Mark Zogu e tjer, që i përcolli grupin e Mirditës prej 53 luftëtarësh tue u dhanë dy ditë bukë me veti dhe bani me kalue kufinin në Jugosllavi”.

Te fundit


Kthehu lart