Strategjia e Lajçakut, BE-ja thotë se nuk do të tregojë për të gjitha veprimet e tij - Gazeta Express
string(80) "strategjia-e-lajcakut-be-thote-se-nuk-do-te-tregoje-per-te-gjitha-veprimet-e-tij"

Strategjia e Lajçakut, BE-ja thotë se nuk do të tregojë për të gjitha veprimet e tij

Besnik Veliu

26/05/2020 10:59

Nga Bashkimi Evropian nuk kanë ende një datë specifike se kur mund të rinisë dialogu për normalizim të raporteve ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit. Zëdhënësi i BE-së thotë se dialogu duhet të rinisë posa të lejojnë kushtet e krijuara nga pandemia COVID-19, derisa thekson se çështja e kthimit në tryezën e negociatave varet edhe nga Kosova e Serbia. Sa u përket planeve të Lajçakut rreth bashkëpunimit me Richard Grenell, Stano ka thënë se nuk do të ofrojnë në mënyrë të vazhdueshme informacione rreth bisedave apo planeve me partnerët.

Miroslav Lajçak, që nga marrja e postit të Përfaqësuesit Special të BE-së për dialogun Kosovë-Serbi në mënyrë të vazhdueshme ka kontaktuar me të gjithë përfaqësuesit politikë e institucionalë të Republikës së Kosovës.

Lexo Edhe:

Zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, për Gazetën Express ka thënë se Lajçak është duke përgatitur terrenin për të rinisur procesin e negociatave pa u vonuar.

“Përfaqësuesi i ri special i BE-së është vazhdimisht në kontakt me të gjithë partnerët relevantë për t’i dëgjuar pikëpamjet, pritjet dhe shqetësimet e tyre me qëllim të përgatitjes së terrenit, kështu që dialogu të mund të vazhdojë pa vonesa”, ka thënë Stano.

Ai thotë se dialogu Prishtinë-Beograd është prioritet i BE-së dhe duhet të vazhdojë në momentin e parë që lejon situata e krijuar nga pandemia COVID-19.

“Rifillimi i dialogut është një prioritet dhe duhet të arrihet sa më shpejt që është e mundshme. Status quo-ja në dialog nuk është e arsyeshme dhe dialogu duhet të vazhdojë sa më shpejt që është e mundshme, posa një gjë të tillë ta lejojë situata e shkaktuar nga pandemia e koronavirusit”, ka shtuar tutje zëdhënësi i BE-së.

Megjithatë, Stano ka theksuar se koha, agjenda dhe ritmi i dialogut nuk varen vetëm nga BE-ja, por vendosen së bashku me të dyja palët [Kosova dhe Serbia] dhe aftësia e tyre për t’u marrë vesh.

Ndërkohë sa i përket bashkëpunimit dhe asaj se kur pritet që Lajçak të vihet në kontakt me Richard Grenellin si Përfaqësues Special i SHBA-së, Stano ka thënë se nuk do të japin informacione për secilin hap apo bisedë që Lajçak bën, apo për planet me partnerët.

“Siç kemi theksuar pas emërimit të përfaqësuesit special të BE-së, z.Lajčák, natyra e punës së tij është që të afrohet me të gjithë partnerët relevantë dhe të angazhohet në konsultime dhe diskutime me qëllim të vlerësimit të gjendjes aktuale të veprimit në dialogun Beograd-Prishtinë. Ne nuk do të ofrojmë komente të vazhdueshme, as afate kohore, për secilin hap të vetëm që ai bën dhe për secilën bisedë që bën apo për planet me partnerët”, ka thënë për Express, Peter Stano.

Derisa njohësit e procesit të dialogut Kosovë-Serbi thonë se vazhdimi i negociatave do të varet nga situata politike në Kosovë dhe nga mbajtja e zgjedhjeve në Serbi.

Eksperti gjerman, Bodo Weber, dje për Express ka thënë se nuk pret kthim në negociata para muajit gusht duke i marrë parasysh të gjithë faktorët.

“Çka do që të jetë, nëse dikush llogarit të gjithë rrethanat që ndikojnë në dialog – zgjidhja e votimit të mosbesimit, zgjedhjet në Serbi dhe masat ekzistuese për udhëtimet ndërkombëtare, për të mos folur për mosmarrëveshjet transatlantike mbi atë se kush e udhëheq dialogun – nuk e di se si do të mundë të rinisnin bisedimet para gushtit”, ka thënë Weber.

Pavarësisht situatës aktuale politike në vend, kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka shprehur gatishmërinë e tij për t’u rikthyer në procesin e negociatave me Serbinë dhe ka thënë se caktimi i ndonjë date për takime varet nga Brukseli.

“Unë jam në kontakt të rregullt me përfaqësuesin e BE-së, z. Miroslav Lajçak, ai natyrisht që është duke përgatitur fillimin e dialogut. Ne kërkojmë që ky dialog të jetë me parime, i përgatitur dhe i organizuar mirë. Jemi gati, kemi përvojë, do t’i mbrojmë interesat e shtetit tonë dhe do ta përfaqësojmë Republikën e Kosovës ashtu siç e thotë Kushtetuta, ashtu siç e thonë ligjet tona dhe ashtu siç na njeh populli i Kosovës. Pra, kalendari i dialogut të ardhshëm varet nga Brukseli dhe në bazë të Kushtetutës të Republikës së Kosovës dhe aktgjykimit nga viti i kaluar Kosovën e përfaqëson kryeministri i saj”, ka deklaruar Kurti gjatë vizitës së tij në Komunën e Suharekës.

Ndërkohë ende s’dihet nëse Beogradi do të jetë i gatshëm që të rikthehet në tryezën e negociatave para përfundimit të zgjedhjeve atje.

Rinisjen e dialogut mes dy shteteve e kanë kërkuar përmes një letre të përbashkët edhe dy kryediplomatët, gjermani Heiko Mass dhe francezi Jean-Yves Le Drian. /GazetaExpress/