Strakosha rrëfehet për stadiumin e ri, fitores me Greqinë dhe shumë të tjera


Gazeta Express
14 Nëntor 2019 13:51

Në një rrëfim për “Corriere dello Sport”, Tomas Strakosha u ndal te disa çështje. Fillimisht portieri i Kombëtares ceku temën e ndeshjes me Francën dhe stadiumin e ri.

“Presim kampionët e botës së Francës. Të luash ndaj një skuadre kaq të fortë do të thotë të vihesh në provë dhe të kërkosh të bësh një paraqitje sa më të mirë. Përurimi i stadiumit të  ri është një motivim ekstra. Është shumë i bukur, modern, i sapondërtuar. Për një futbollist është maksimumi. Do të përjetoj një emocion special edhe duke menduar se babai im ka luajtur në stadiumin e vjetër”, tha strakosha.

Më tej shtoi:

“Koha fluturon shumë shpejt…janë emocione të këndshme. Në ndeshjen e lamtumirës së tij nga kombëtarja isha në tribunë së bashku me familjen. Kur mendoj se tani jam profesionist dhe mbroj portën e Kombëtares në të njëjtin stadium të rindërtuar në Tiranë, më hyjnë drithërima.”

Për të vazhduar me:

“Ishte viti kur Shqipëria fitoi 2-1 ndaj Greqisë, kampione e Evropës dhe unë isha 10 vjeç. Në fund të ndeshjes nuk hyra në fushë, nëna ime bëri të mundur që babai im të festonte fillimisht me skuadrën e më pas me familjen. Më kujtohet trajneri Briegel që e detyroi të vazhdonte të luante, sepse babai im prej kohësh kishte shfaqur dëshirën për t’u tërhequr.”

Te fundit


Kthehu lart