Stomatologët thonë se punësimi e ndal ikjen e tyre nga Kosova


Gazeta Express
16 Shtator 2019 10:43

Mjekët specialistë të fushës së stomatologjisë po kërkojnë nga institucionet përgjegjëse të Kosovës që t’u gjendet zgjidhje rreth punësimit të tyre. Të enjten, ata kanë protestuar para Qeverisë së Kosovës ku edhe i kanë shprehur kërkesat e tyre.

Njëra nga protestuesit ishte edhe Mirjeta Berisha, stomatologe, e cila tha se janë bërë gati tre vjet, prej kur mbajnë takime të njëpasnjëshme me zyrtarë qeveritarë për punësimin e tyre, por pa ndonjë rezultat. Ajo shtoi se moszgjidhja e kësaj çështjeje, ka bërë që shumë prej këtyre stomatologëve të largohen nga Kosova.

“Ne kemi protestuar disa herë, kemi pasur takime të mëparshme me ministrin, kemi pasur premtime, mirëpo nuk kemi ndonjë rezultat. Kemi ardhur sot që t’i kërkojmë ministrit përgjigje për ato që na ka premtuar deri më sot”, tha Berisha.

Në Ministrinë e Shëndetësisë, Faik Hoti, drejtor i Departamentit për Informim tha se udhëzimi administrativ ka paraparë që doktori i stomatologjisë të jetë ai i cili ofron shërbime në kujdes parësor shëndetësor për fushën e stomatologjisë.

Një numër i specialistëve të stomatologjisë, tha Hoti, ka kërkuar nga Ministria e Shëndetësisë që të bëj ndryshimin e këtij udhëzimi administrativ, që të krijohet mundësia që këta stomatologë të mund të punojnë edhe në nivele tjera, si ai dytësor e tretësor shëndetësor.

Por, ai sqaroi se kjo ende nuk është nënshkruar, pasi në këtë fazë ende nuk dihet nëse ministrat në detyrë kanë të drejtë të nënshkruajnë akte të tilla nënligjore.

“Sa i përket numrit të atyre se sa stomatologë do të mund të punësohen, ajo varet nga nevojat që do t’i kenë institucionet shëndetësore, që ofrojnë shërbime stomatologjike në Komuna. Pra, nuk do të thotë se të gjithë do të akomodohen në këto nivele të kujdesit shëndetësor”.

“Mirëpo, detyrë e Ministrisë së Shëndetësisë është që në kuptimin e infrastrukturës ligjore, të mos u bëj pengesa stomatologëve, por t’u krijon mundësi ta gjejnë veten profesionalisht në gjitha nivelet e kujdesit shëndetësor”, tha ndër të tjera Hoti.

Kurse, stomatologia Mirjeta Berisha tha se presin nga Ministria e Shëndetësisë që të reflektojë pozitivisht ndaj kërkesave të tyre.

“Kërkoj nga ministri që të na dërgojë një listë të specialistëve që ia kanë mësyrë rrugëve të Evropës”, theksoi ajo.

Tashmë ikja e mjekëve nga Kosova për në vendet e Bashkimit Evropian, sipas autoriteteve në Prishtinë, është bërë dukuri shqetësuese.

Sipas statistikave që i posedon Federata Sindikale e Shëndetësisë, thuhet se janë më shumë se 500 mjekë specialistë që tashmë ndër vite kanë ikur nga Kosova.

Aktualisht, mjeku specialist në Kosovë ka pagën bazë prej 659 euro, por me fillimin e zbatimit të Ligjit për pagat, nga dhjetori i këtij viti, ata presin që të marrin shumën deri në 1195 euro.

Në sektorin publik shëndetësor janë më shumë se 13.500 të punësuar, prej tyre 5.561 janë mjekë dhe 7.492 infermierë.

Në Kosovë janë më shumë se 200 mjekë specialistë, të cilët kanë mbetur jashtë institucioneve publike shëndetësore.

Te fundit


Kthehu lart