Statistikat e Kosovës në kualifikimet për EURO 2020


Gazeta Express
20 Nëntor 2019 12:46

Kosova e mbylli kampanjën kualifikuese për Kampionatin Evropian 2020 me tri fitore, dy barazime dhe tri humbje. Gjatë gjithë këtij rrugëtimi, Kombëtarja kosovare mori shumë lëvdata për paraqitjet e saj, përkundër që e humbi këtë shans të parë për ta zënë një vend në EURO 2020.

Humbja e Kosovës në Çeki me rezultat 2:1 bëri që skuadra e drejtuar nga Bernard Challandes ta ketë të pamundur ta sigurojë kualifikimin nga Grupi A në Kampionatin Evropian 2020, pavarësisht rezultatit të ndeshjes së fundit, kundër Anglisë, raporton Gazeta Express.

Në fund, Kosova pësoi disfatë edhe kundër Anglisë në shtëpi, me rezultat 4:0, duke e mbyllur kështu kampanjën kualifikuese në EURO 2020 përmes Grupit A.

Megjithatë, tani “Dardanët” e kanë edhe një mundësi për ta zënë një vend në EURO 2020, përmes fazës së play-offs të Ligës së Kombeve, ku në gjysmëfinale do të përballen me Maqedoninë, ndërsa në finale i pret ose Bjellorusia ose Gjeorgjia.

Në uebsajtin zyrtar të UEFA-s janë të publikuara të gjitha statistikat kryesore të Kosovës gjatë kësaj kampanje kualifikuese.

  – Nga tetë ndeshje të zhvilluara, Kosova i fitoi tri, i barazoi dy dhe i humbi tri

  – Kosova i shënoi gjithsej 13 gola në këto ndeshje, mesatarisht 1.64 gola për ndeshje

  – Kosova i pati gjithsej 94 tentime për të shënuar gol: 33 brenda kuadratit të portës, 43 jashtë kuadratit të portës dhe 18 goditje të bllokuara

  – Lojtarët e Kosovës i kompletuan 59 nga gjithsej 151 harkimet e tentuara në ndeshjet e kësaj kampanje, domethënë ishin 39 për qind të saktë në harkime. Kosova i pati gjithsej 42 goditje nga korneri

  – Lojtarët e Kosovës ishin 81 për qind të saktë në pasime, duke i kompletuar 2768 pasime nga gjithsej 3404 të tentuara

  – Kosova e pati 49 për qind të posedimit të topit mesatarisht nëpër ndeshje

  – Portieri i Kosovës, Arijanet Muric, i bëri gjithsej 25 pritje, i pranoi 16 ndeshje, ndërsa arriti ta mbajë portën e paprekur në vetëm një ndeshje

  – Lojtarët e Kosovës i bënë 41 ndërhyrje, ndërsa e fituan topin nga kundërshtarët plot 274 herë

  – Lojtarët e Kosovës u ndëshkuan me 22 kartonë të verdhë dhe asnjë të kuq, për 108 ndërhyrje të parregullta, përderisa kundërshtarët i faulluan 102 herë lojtarët e Kosovës. /Gazeta Express/

Te fundit


Kthehu lart