“Standardet e vendit duhet të përkojnë me ato evropiane”


Gazeta Express
20 Shtator 2019 14:46

Ambasadori i Francës në Maqedoninë e Veriut, Kristian Timonie sot në Tetovë komentoi fillimin ose jo të negociatave të Maqedonisë së Veriut për integrim në Bashkimin Evropian. Timonie tha se Parisi vlerëson Marrëveshjen e Prespës dhe reformat në vijim e sipër të vendit.

Lidhur  me porosinë e kreut të Këshillit të Evropës, Donald Tusk se vendet anëtare duhet të vendosin në favor të Shkupit, Timonie tha se mbi të gjitha vendet anëtare duhet të sigurohen që standardet e këtij shteti të përkojnë me standardet evropiane, shkruan Alsat, përcjell Express.

“Jemi në reflektim e sipër. Këto reflektime kanë qenë të ndihmuara edhe nga vizita e bërë rishtazi e ministrit të punëve të jashtme Nikolla Dimitrov në Paris. Autoritetet franceze kanë vlerësime të larta lidhur edhe me Marrëveshjen e Prespës. Njëkohësisht kanë ndarë edhe vlerësimin e tyre në lidhje me reformat që janë në vijim e sipër, dhe ata kanë insistuar gjithnjë dhe kanë këmbëngulur në drejtim të shtetit të së drejtës. Njëkohësisht është ritheksuar edhe qëndrimi i kryetarit të Francës, zotit Makron, në lidhje me angazhimin e Francës në drejtim të Ballkanit perëndimor. Cilido që do jetë vendimi që do merret me vendet tjera anëtare, duhet të jetë në drejtim të asaj që këtu të mbizotërojë paqja dhe stabiliteti dhe njëkohësisht prosperimi dhe zhvillimi”.

“Ka ca gjëra në Maqedoninë e Veriut që duhet përmbushur dhe këtë më së miri e dinë qytetarët e këtij shteti, dhe siç ka deklaruar zoti Tusk, ne duhet të përkrahim çdo hap që shkon në drejtim të përmbushjes së qëllimeve, në mënyrë që integrimi evropian të jetë një sukses i tërësishëm. E di që ajo që ju pëlqeni dhe preferoni normalisht se është data, por njëkohësisht duhet që edhe standardet e këtij shteti të përkojnë me standardet evropiane. Mbeten ende shumë gjëra që duhet përmbushur dhe besoj se secili ka vizionin e tij për gjërat që duhet të shkojnë në drejtimin e duhur. Janë ndërmarr shumë hapa dhe janë sjell shumë Ligje që duhet përshëndetur këtë gjë, por hendeku mes asaj që është në letër dhe në praktikë mbetet i madh dhe mbetet për tu dëshiruar. Por e rëndësishme është që shohim se ky hendek ka filluar që të zvogëlohet sepse mund t`iu siguroj se edhe ne në anën tonë nuk jemi perfekt në këtë drejtim. Pra është një betejë e përditshme në drejtim të demokracisë dhe duhet shmangur atë që pushteti të konfiskohet”./GazetaExpress/

Te fundit


Kthehu lart