Stambolli u jep ultimatum imigrantëve sirianë për t’u larguar nga qyteti


Gazeta Express
20 Gusht 2019 9:39

Mijëra imigrantë sirianë kanë afat deri të martën për t’u larguar në mënyrë vullnetare nga Stambolli, në të kundërtën do të dëbohen me forcë nga autoritetet.

Autoritetet kanë kërkuar nga imigrantët e paregjistruar që të kthehen në provincat ku janë regjistruar për herë të parë si pjesë e një plani për ta liruar qytetin nga numri i madh i njerëzve të ardhur.

Megjithatë, disa sirianë i kanë thënë BBC-së se shumë njerëz po dërgohen në Idlib, në territorin e Sirisë, ku ende janë duke u zhvilluar luftime të ashpra.

Ata thonë se imigrantët po detyrohen të nënshkruajnë dokumente për kthim vullnetar, ndonëse ata nuk e kuptojnë gjuhën e atyre dokumenteve.

Urdhri për t’u larguar nga Stambolli është lëshuar në fund të korrikut dhe imigrantëve u ishte dhënë rreth një muaj afat për ta respektuar atë.

Që nga fillimi i luftës civile në Siri para tetë vjetësh, rreth 3.6 milionë sirianë janë vendosur në Turqi.

Rreth 500 mijë imigrantë janë të regjistruar në Stamboll, por besohet se numri i vërtetë i sirianëve që jetojnë në këtë qytet është rreth një milion pasi janë larguar nga provincat ku janë vendosur fillimisht, shkruan “BBC”, transmeton Gazeta Express.

Te fundit


Kthehu lart