Sporti shqiptar në zi, ndahet nga jeta Fatmir Frashëri


Gazeta Express
19 Korrik 2019 18:08

Ditën e sotme ka humbur jetën ish futbollisti i Tiranës, Partizanit dhe Kombëtares Shqiptare, Fatmir Frashëri.

Ish mbrojtësi ndërroi jetë në moshën 78-vjeçare, ndërsa angazhimet në futboll i kishte ndërprerë që në vitin 2003, kur ishte për disa kohë trajner i Tiranës.

Fatmir Frashëri u rrit te të rinjtë e Tiranës dhe veshi fanellën bardheblu nga viti 1958 deri në 1972-shin, me përjashtim të periudhës 1962-1964, kur u aktivizua me Fartizanin.

Sa i përket karrierës si trajner, Fatmir Frashëri ka drejtuar për shumë vite, në 4 periudha të ndryshme Tiranën, por edhe skuadra si Naftëtari, Besa e Dinamo.

Me fanellën kuqezi të Kombëtares, Fatmir Frashëri zhvilloi 12 takime.

Presidenti Meta shkruan se sot humbi jetën një nga legjendat e futbollit shqiptar.

“Me hidhërim të madh mësova lajmin e trishtë të ndarjes sot nga jeta të kampionit tonë të madh e të papërsëritshëm tiranas, si në fushë e në pankinë, por edhe jashtë ambienteve sportive, një prej legjendave të futbollit shqiptar, Fatmir Frashëri!

Familja Frashëri, që i dha aq shumë personalitete kombit tonë në të gjitha fushat, natyrisht që do t’i jepte një gjigand edhe në fushën e blertë por edhe si trajner.

Si lojtar, trajner e President dinjitoz i Tiranës, Fatmiri ynë i dashur do të mbahet mend përjetë për virtuozitetin dhe talentin e rrallë, aq sa me të drejtë për të thuhet se nuk ishte futbolli që e bëri të madh, por ishte pikërisht ai që i dha kuptim këtij sporti si rrallëkush, duke qenë njëherësh sportist i dalluar dhe intelektual i spikatur!

I ruaj me nostalgji emocionet e takimit tonë të fundit dhe bisedën e ngrohtë që patëm, duke uruar së bashku për rezultate më të mira e më të larta për sportin tonë! Ndaj uroj që amaneti i tij të përmbushet nga brezat e rinj të sportistëve tanë!

Duke ndarë dhimbjen e thellë për këtë humbje të madhe e të pazëvendësueshme, u shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjes Frashëri, miqve e bashkëpunëtorëve të afërt, si edhe të gjithë sportdashësve shqiptarë.

I paharruar kujtimi yt Profesor!”, shkruan Meta.

Te fundit


Kthehu lart