Kthehu lart

Tetë largime, asnjë ardhje te Liria! Trajneri italian kërkon lojtarë të huaj

Tetë largime, asnjë ardhje te Liria! Trajneri italian kërkon lojtarë të huaj GazetaExpress

Vjet luftonte për titull të kampionit, kurse sivjet Liria e ka veç një dëshirë: Të mbijetojë në Ipko Superligë!

Në edicionin e kaluar tregoi forcë të madhe në Ipko Superligën e Kosovës në futboll. Madje, gati deri në fund të kampionatit ishte në garë për titullin e kampionit. Kurse, tani Liria e ka veç një dëshirë – të mbijetojë në elitë, raporton Gazeta Express.

Klubi i famshëm kosovar sezonin vjeshtor e ka mbyllur në zonën e barazhit, përkatësisht në vendin e 10-të tabelës me vetëm katër pikë larg zonës që të zbret nga Ipko Superliga.

Prizrenasit kishin shkuar në pushim dimëror me skenarin për ta reformuar skuadrën për sezonin pranveror, gjatë të cilit e pret punë e vështirë në luftën për mbijetesë.

Por, skenari i reformimit të skuadrës bardhezinjëve sikur u ka mbetur në gjysmë. Kështu duket të paktën tash për tash. Kur kanë mbetur edhe më pak se dy javë deri në mbyllje të afatit kalimtar të janarit, Liria nuk e ka bërë asnjë përforcim adekuat. Në anën tjetër ka mbetur pa disa lojtarë që ishin pjesë e saj në pjesën e parë të kampionatit.

Gerald Tushe, Francesk Lamaj, Denis Peposhi, Ramadan Kryeziu, Muhamed Berisha, Shpresim Fazlija, Aldo Mitraj, Ibrahim Walidjo, janë lojtarët  larguar nga stadiumi “Përparim Thaçi”. Ndërsa, Gentian Binishi dhe Valon Bytyqi fillimisht ishin larguar, kurse tani posa janë kthyer te Liria. Ardhja e vetme e re është Ardijan Rudovuq, i cili ka ardhur për t’u testuar te Liria prej Otrantos së Ulqinit.

Por, trajneri italian i Lirisë, Vincenzo Alberto Annese, u ka dhënë shpresë tifozëve. Ai ka konfirmuar se Liria po hulumton në tregun e jashtëm për të gjetur futbollistë cilësorë, të atillë çfarë mungojnë në tregun vendor.

Burimet e Express-it brenda klubit bardh e zi bëjnë të ditur se shumë shpejt në Prizren pritet të vijnë disa lojtarë të huaj me të cilët Liria synon të ndryshojë për të mirë në vazhdim të kampionatit, pjesa e dytë e të cilit do të fillojë në muajin e ardhshëm. /GazetaExpress

    Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti:
    Data: 18 Janar 2019 11:03
    Autori: GazetaExpress

    Komentet

    Të tjera