Kthehu lart

​Java e çmendur e Iscos: Jashtë skuadrës kundër Romës, tani kapiten në Bernabeu

​Java e çmendur e Iscos: Jashtë skuadrës kundër Romës, tani kapiten në Bernabeu GazetaExpress

Vetëm para një jave, Isco e mori vëmendjen e mediave pasi që trajneri i Real Madridit, Santiago Solari, kishte vendosur ta linte atë jashtë skuadrës për ndeshjen e Ligës së Kampionëve kundër Romës. Të enjten, ai do ta mbajë shiritin e kapitenit në ndeshjen e Copa del Rey kundër Melilës në Santiago Bernabeu.

Solari është përballur vazhdimisht me pyetje për Iscon, megjithatë argjentinasi ka preferuar të flasë për rëndësinë e skuadrës, duke thënë se asnjë lojtar nuk e ka të sigurt vendin në ekip të parë. Por, ishte e qartë se një lojtar si Isco, i cili kishte qenë shumë i rëndësishëm për ish-trajnerin Julen Lopeteguin, ishte harruar nga Solari, përcjell Gazeta Express.

Isco e bëri kthimin e tij në skuadër në ndeshjen kundër Valencias, kur u inkuadrua në dhjetë minutat e fundit duke e zëvendësuar Dani Ceballos. Ai e luajti një rol mjaft të rëndësishëm për golin e dytë të “Los Blancos”, të shënuar nga Lucas Vazquez.

Pas ndeshjes, një foto filloi të qarkullonte nëpër rrjete sociale, ku sugjerohej se Isco peshonte më shumë se që duhej. Por, 26-vjeçari iu përgjigj kësaj me një foto tjetër që e postoi në llogarinë e tij. Në atë foto shihej Isco pa bluzë dhe e kishte bërë pyetjen: “A jam i trashë”.

Ndeshja kundër Melilës do të jetë ndeshja e parë në të cilën do të startojë Isco qysh nga disfata në El Clasico me rezultat 5-1, më 28 tetor. Kjo kishte qenë edhe ndeshja e fundit për ish-trajnerin, Julen Lopeteguin, i cili vetëm një ditë më vonë u shkarkua nga puna e tij.

Të enjten do të ketë mjaft shumë ndryshime në skuadrën e Real Madridit, pasi që madrilenët e kanë fituar ndeshjen e parë me rezultat 4-0. Për shkak të këtyre ndryshimeve, Isco do të jetë një nga lojtarët me përvojën më të madhe dhe pritet që ai ta mbajë shiritin e kapitenit.

Formacioni pritet të jetë: Keylor Navas në portë; Alvaro Odriozola, Jesus Vallejo, Javi Sanchez dhe Sergio Reguilon në mbrojtje; Marcos Llorente, Federico Valverde dhe Isco në mesfushë; dhe në sulm Marco Asensio, Mariano Diaz dhe Vinicius Junior.

Në fakt, kjo do të jetë hera e parë që Isco do ta mbajë shiritin e kapitenit në një ndeshje me karakter garues qysh nga transferimi i tij në vitin 2013, një vit para transferimit të Navasit. Gjatë kësaj kohe, Isco ka luajtur në 254 ndeshje, 106 ndeshje më shumë se kiliani. /Gazeta Express/

    Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti:
    Data: 06 Dhjetor 2018 13:30
    Autori: GazetaExpress

    Komentet

    Të tjera